
Gjykata e Lartë ka konfirmuar sekuestron mbi pasurinë e Artan Gaçit, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm.
Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 5,512 m² toke në Gjilekë të Himarës, e administruar nga shoqëria AG.TÇ, në pronësi të Artan Gaçit, ku ishte planifikuar ndërtimi i një kompleksi turistik. Kjo tokë dyshohet se është përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara.
Sipas hetimeve të SPAK, ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, në bashkëpunim me zyrtarë të asaj kohe, kanë tjetërsuar 5,512 m² tokë bujqësore nga pronë shtetërore në tokë private me dokumente të falsifikuara, duke e kaluar atë në emër të Foto Mëhillit, babait të Stavri Mëhillit.
Kalimi i pronës tek Stavri Mëhilli i dha atij të drejtën ta shiste pronën, dhe sipas hetimeve, më 25 shkurt në llogarinë e Stavri Mëhillit janë transferruar 12,677,600 lekë nga kompania ‘AGTTC Hotel Management’, në emër të Artan Gaçit.
Rezulton se Stavri Mëhilli e ka shitur pronën për 12,677,600 lekë, ku kësti i parë prej 3,000,000 lekësh është paguar më 25 korrik 2019 përmes transaksionit bankar, ndërsa kësti i dytë prej 9,677,600 lekësh është paguar më 25 shkurt 2020.
Aktualisht prona figuron e regjistruar në emër të shoqërisë "AG. TÇ" shpk, sipas SPAK-ut. Më 28 mars 2024, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestron edhe mbi një sipërfaqe tjetër prej 5,080 m², që ndodhet në kufi me sipërfaqen prej 5,512 m²./Versus.al







