Një dëshmi rrëqethëse ka tronditur opinionin publik pas vdekjes tragjike të një gruaje 46-vjeçare pas një procedure liposuksioni. Ngjarja ka sjellë në vëmendje historinë e Emini Gercaliut, një grua me origjinë shqiptare, e cila ka kaluar të njëjtën eksperiencë dhe që për pak humbi jetën.
Në një intervistë për gazetën italiane La Repubblica, Gercaliu shprehet mes lotësh:
“Kam qarë dje. Kam qarë kur lexova që një grua 46-vjeçare vdiq pas një liposuksioni. Mund të isha unë. Kishim të njëjtën moshë. Të njëjtën ndërhyrje. Të njëjtin mjek: José Lizárraga Picciotti.”
Ajo kujton eksperiencën e saj si një makth të vërtetë. “Kam qenë e mrekulluar që mbijetova. Mjekët më shpëtuan për flokësh. Kisha një hemorragji dhe një septikemi akute,” – rrëfen ajo, duke shtuar me tronditje se mjeku Lizárraga nuk dëshironte ta dërgonte në spital, nga frika e pasojave ligjore.
Emini Gercaliu ende mban plagët – fizike dhe psikologjike – të asaj që e përshkruan si një histori të tmerrshme. Dëshmia e saj sjell në vëmendje mungesën e etikës dhe rrezikun e madh që shoqëron procedurat estetike kur kryhen pa përkujdesjen dhe protokollet mjekësore të nevojshme.
Ngjarja ka nxitur debat mbi sigurinë e ndërhyrjeve estetike në Itali, sidomos në lidhje me mjekët që operojnë në klinika private pa standardet e duhura. Ndërkohë, emri i mjekut José Lizárraga Picciotti përmendet tashmë në më shumë se një rast të rrezikshëm pas liposuksionit. /Versus.al







