Një 21-vjeçar i paraburgosur ka ndërruar jetë në spital, pasi u gjet pa ndjenja në qelinë e tij në Burgun e Shkodrës. Viktima është identifikuar si Nicolae Ionnut Erion Deliver, i datëlindjes 23 mars 2005, lindur në Rumani dhe banues në Shkodër.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, i riu ishte arrestuar më 7 tetor 2024 dhe mbahej në paraburgim me masën e sigurisë “arrest me burg”, për vepra penale që lidhen me grabitjen dhe drogën.
Ngjarja ka ndodhur gjatë paradites së sotme, kur 21-vjeçari nuk ka dalë nga qelia në oraret e zakonshme. Kjo ka ngritur dyshime te personeli i shërbimit, i cili ka ndërhyrë menjëherë, duke e gjetur të riun pa ndjenja dhe me parametra jetësorë të ulët.
“Sipas informacionit paraprak, shtetasi është konstatuar duke qëndruar në shtrat. Pas vlerësimit nga personeli shëndetësor i institucionit, u konstatua se kishte parametra jetësorë të ulët dhe iu dha ndihma e parë mjekësore, me rekomandim për dërgim të menjëhershëm në urgjencën e spitalit rajonal”, bëjnë me dije autoritetet.
Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, i riu nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë në spital.
Drejtoria e Burgjeve njofton se janë vënë menjëherë në dijeni organet kompetente dhe se institucioni po bashkëpunon plotësisht për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Shkaku i vdekjes pritet të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore.
Njoftimi i Drejtorisë së Burgjeve:
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon opinionin publik se, në datën 25.01.2026, në IEVP Shkodër, ka ndërruar jetë shtetasi Nicolae Ionnut Erion Deliver, i datëlindjes 23.03.2005, lindur në Rumani dhe banues në Shkodër.
Ky shtetas ishte arrestuar më datë 07.10.2024 dhe ishte akomoduar në IEVP Shkodër më datë 10.10.2024, me masë sigurimi “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.
Sipas informacionit paraprak, gjatë paradites së sotme, shtetasi është konstatuar nga personeli i shërbimit duke qëndruar në shtrat, ç’ka ka sjellë njoftimin e menjëhershëm të personelit shëndetësor të institucionit. Pas vlerësimit mjekësor, janë konstatuar parametra jetësorë të ulët dhe i është dhënë ndihma e parë mjekësore, me rekomandim për dërgim të menjëhershëm në urgjencën e spitalit rajonal.
Menjëherë është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut, si struktura më e afërt shëndetësore. Gjatë transportimit i është dhënë ndihma mjekësore nga stafi shëndetësor.
Në urgjencën e Spitalit të Koplikut i është dhënë ndihma mjekësore e menjëhershme, por më pas mjeku i urgjencës ka konstatuar se shtetasi ka ndërruar jetë (exitus letalis).
Institucioni ka njoftuar menjëherë organet kompetente dhe po bashkëpunon plotësisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh gatishmërinë për të vënë në dispozicion çdo informacion të mëtejshëm, në përputhje me ligjin”./Versus.al

