Tiranë- Një aksident fatal në punë ka ndodhur në një firmë ndërtimi ku një 68 vjeçar i identifikuar si Gëzim Gërdeci ka ndërruar jetë.
I moshuari punonte si roje në objektin ku po ndërtohej pallati dhe mësohet se gjatë momentit kur po mbyllej porta e madhe, ishte rrëzuar duke e zënë sipër 68 vjeçarin. Për pasojë policia ka nisur hetimet për pronaren e objektit, Erilda Dhamën dhe Kujtim Kokën pronarin e kompanisë së sigurisë ku ishte punësuar viktima Gëzim Gërdeci.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7 pas komunikimit me Prokurorin, nisën procedimin në gjendje të lirë për shtetasit E. Dh., 40 vjeçe dhe K. K., 69 vjeç, me detyrë drejtues teknik të një firme, pasi ditën e djeshme, shtetasi G. G., 68 vjeç, me detyrë roje në subjektin e shtetases E. Dh dhe i punësuar nga shtetasi K. K, gjatë mbylljes së portës hyrëse të objektit, është zënë poshtë prej saj. Si pasojë 68-vjeçari ka humbur jetën”- thuhet në njoftim. Versus.al







