
Recepsionistja në hotelin ku dyshohet se u vra kolegu i saj në Dhërmi, Eraldo Nevruzi ka folur mbi detajet rreth ngjarjes së rëndë ky dyshohet se bashkëpronari i hotelit, Gerald Shehu ka ekzekutuar 31 vjeçarin me plumb në kokë dhe më pas i ka zhdukur trupin.
Paola Spahiu tha se i riu kishte shkuar në hotel si i panjohur dhe kishte kërkuar punë si baris por duke qenë se ende nuk ishte hapur bari, i ishte kërkuar të qëndronte të punonte si recepsionist ndërkohë.
Ajo tha se nuk kishte dëgjuar të shtënë arme dhe se ngjarjen e kishte marrë vesh në mëngjes nga e ëma e saj. Ndërsa zbuloi se Eraldo ishte pak tip i lëvizshëm, recepsionistja tha se marrëdhënia e tij me bashkëpronarin e hotelit ishte tejet e zakontë.
“Nuk ka shumë kohë që ka nisur punë Eraldo, rreth 5 ditë kishte që kishte filluar. Ishte një tip pak i lëvizur, jo ndonjë djalë i rregullt. Me Geraldin nuk kam biseduar shumë me të, pasi më shumë bisedoja me pronarin se ai kishte pjesën e restorantit. Në orën 22:30 më ndërroi Eraldo, por ai erdhi më herët. Unë fle këtu me nënë. Nuk kemi dëgjuar asnjë të shtënë, skam ndjerë asgjë. Mami ishte duke fjetur, unë po rrija në celular. Nuk kishin asnjë lloj kontakti ndryshe nga të tjerët ata të dy. Ngjarjen e mora vesh nga ora 9 sot në mëngjes, kur erdhi mami që më solli mëngjesin te dhoma. Mesa thonë këta ngjarja ka ndodhur te pjesa e parkimit pas, te dhomat e stafit. Ne do të vazhdojmë punën, policia na mori dëshmitë tona për aq informacion sa kishim. Eraldo erdhi këtu dhe kërkoi punë si i panjohur, si një djalë i ri. “Dua punë për barist”, por ata i thanë që do të presës sa të fillojë bari. I thanë; hajde puno si recepsionist. Është hera e parë që punoj këtu. Ne jemi mirë në këtë punë sa i takon sigurisë.” tha e reja.








