Konflikti mes dy fiseve në fshatin Pla në Has ka përfunduar në tragjedi këtë të mërkurë, ku ka mbetur i vrarë 34 vjeçari, i identifikuar si Ryshyt Sallahu. Viktima është ekzekutuar me armë zjarri të tipit ‘Kallashnikov’ brenda makinës së tij, nga autori Ylber Jaku, i cili është arrestuar nga Policia.
Si nisën konfliktet mes dy fiseve Sallahu dhe Jaku?
Ngjarja e rëndë vjen një ditë pasi konflikti degradoi në dhunë fizike, ku një 21 vjeçare e fisit Sallahu goditi dy të moshuarit nga fisi Jaku.
Mesa duket, ngjarja nuk ka përfunduar këtu. Për t’u hakmarrë ndaj dhunës, Ylber Jahu ka vrarë me armë zjarri 34 vjeçarin, me të cilin raportohet se ka patur konflikte për çështje pronësie.
Dyshohet se Jaku e ka pritur viktimën pranë banesës së tij dhe e ka qëlluar menjëherë sapo ai ka zbritur nga mjeti, duke i shkaktuar vdekjen në vend. Ngjarja lidhet me një përplasje të mëparshme për pronat, që ndodhi një ditë më parë, më 6 maj, kur një çift bashkëshortësh mbetën të plagosur pas një sherri.
Vrasja e Reshit Sallahut dyshohet se është akt hakmarrjeje nga ana e familjarit të bashkëshortëve të plagosur, konkretisht Ylber Jakut, i cili ka marrë armën dhe ka ekzekutuar të riun.
Sipas burimeve, konflikti për pronat ka nisur 10 vite më parë dhe lidhur me konfliktet, familja Jaku ka bërë 20 kallëzime.
Njoftimi i Policisë
“Rreth orës 16: 40, është marrë njoftim se në fshatin Pla, shtetasi Y. J., 41 vjeç, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. S., 34 vjeç, dyshohet për motive pronësie
Në vendngjarje shkuan menjëherë shërbimet Policisë, si dhe në mbështetje të Policisë lokale shkuan Forcat e Posaçme Shiqponja të DVP Kukës.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u bë kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar.
Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar arma e zjarrit e dyshuar e përdorur nga autori.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes”, sipas njoftimit zyrtar të policisë. /Versus.al/








