Është arrestuar edhe kinezja e dytë Na Dong e shpallur në kërkim pak ditë më parë, në lidhje me aktivitetin e paligjshëm të vajzave të huaja që shërbenin si eskorta në Tiranë.
Yhong Yang, 52 vjeçe, banore në Tiranë, u arrestua tre ditë më parë, ndërsa bashkëpunëtorja e saj, 38-vjeçarja nga Kina, është ndaluar në Rinas sot.
Të dyja gratë rekrutonin vajza nga Kina dhe Filipinet përmes rrjeteve sociale, duke u siguruar viza pune dhe leje qëndrimi. Vajzat akomodoheshin në banesa me qira në zona të ndryshme të Tiranës, ku realizoheshin fotografi erotike për t’u reklamuar në faqen “Escort Tirana.”
Ato më pas shfrytëzoheshin për prostitucion me tarifa që varionin nga 150 deri në 300 euro.
Kur vajzat kërkonin të largoheshin nga rrjeti, ato përballeshin me kërcënime dhe dhunë, përfshirë kanosjen ndaj familjarëve. Në një rast, 38-vjeçarja e shpallur në kërkim mori një shumë prej 15 mijë euro nga njëra prej vajzave që kërkonte të largohej.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi 4500 euro të përfituara nga aktiviteti kriminal, një laptop, tre celularë, dy pasaporta dhe tre fletore me shënime.
Ndaj dy grave janë ngritur akuza penale, ndërsa shtatë vajzat e rekrutuara nga Kina dhe Filipinet u proceduan penalisht.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
Vijon operacioni policor i koduar "Red Light 2", i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Rinas.
Arrestohet një 38-vjeçare, shtetase kineze, e implikuar në veprimtarinë kriminale të shfrytëzimit të prostitucionit.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe ato të Komisariatit të Policisë Rinas, në zbatim të planit të masave të përbashkët për goditjen e krimeve kufitare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se në pkk Rinas, do të kalonte një shtetase në kërkim, për shfrytëzim prostitucioni, kanë vijuar operacionin policor të koduar "Red light 2".
Si rezultat i tij u ndalua shtetasja kineze N. D., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, e shpallur në kërkim për veprat penale "Shfrytëzimi prostiucionit", "Mbajtja e lokaleve për prostitucion", "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë", dhe "Dëmtime te tjera me dashje", parashikuar nga nenet 114, 115, 109-b, 90 të Kodit Penal.
38-vjeçarja së bashku me shtetasen Y. Y., 52 vjeçe (arrestuar më parë gjatë operacionit), dyshohet se rekrutonin shtetase kineze dhe filipineze të cilat më pas i shfrytëzonin për prostitucion. Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy shtetaset e arrestuara, me anë të fotove të publikuara në faqen "Escort Tirana", ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave të rekturuara.







