Janë bërë publike identitetet e katër zyrtarëve të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) që janë vënë nën hetim nga SPAK, për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Sipas burimeve për mediat, të arrestuarit janë:
Gerald Fucia
Edmond Çela
Ndërsa të shpallurit në kërkim janë:
Klajdi Zhilla
dhe një person tjetër, identiteti i të cilit nuk është bërë ende publik.
Zyrtarët dyshohet se kanë marrë para nga një subjekt privat, në kuadër të procedurave të lidhura me tendera dhe veprimtari të tjera të IMT-së. Ata u arrestuan nga policia në një lokal në zonën e Kombinatit, Tiranë.
Sipas burimeve të afërta me hetimin, vendi i arrestimit ishte lokali i ish-deputetit Mark Frroku, ku autoritetet kanë sekuestruar gjithashtu kamerat e sigurisë për të dokumentuar provat e veprimtarisë korruptive.
Operacioni u ndërmor nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pas një denoncimi të mëparshëm dhe hetimesh të zhvilluara për disa javë.
Hetimet janë në vijim dhe priten zhvillime të tjera në ditët në vijim. /Versus.al/







