Një konflikt tragjik ka ndodhur në Itali, ku një shqiptar ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.
Sipas raporteve të mediave italiane, ngjarja ka ndodhur më 8 maj në Prato, në zonën midis rrugëve Corridoni dhe Baracca. Viktima është identifikuar si Vladimir Lleshi, 35 vjeç, i cili humbi jetën pas plagëve të marra nga thika.
Një 21-vjeçar shqiptar është gjetur gjithashtu i plagosur, dhe dyshohet se ai ka pësuar lëndime kur ka tentuar të ndihmojë viktimën. I riu është dërguar në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Sipas informacionit të parë, konflikti ka shpërthyer për një vajzë.
Dy të rinjtë, të cilët kishin planifikuar të takoheshin me Lleshin, u përballën me të në vendin e krimit.
Lleshi kishte ardhur i shoqëruar nga dy persona të tjerë, dhe kjo ka çuar në një grindje që ka përfunduar me vrasjen e tij. Dyshimet janë që të rinjtë kanë sulmuar Lleshin dhe janë larguar menjëherë pas krimit.
Aktualisht, dy të rinj shqiptarë, 17 dhe 19 vjeç, janë në hetim si të dyshuar për ngjarjen, ndërsa arma e përdorur në sulm, thika, ende nuk është gjetur. Autori i dyshuar i vrasjes është ende në arrati dhe kërkimet për kapjen e tij vazhdojnë./Versus.al








