
Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Asset Lock”, që ka çuar në sekuestrimin e pasurive me vlerë rreth 875 mijë euro, të cilat rezultojnë në pronësi të 32-vjeçarit, Paris Prenga i cili aktualisht është i dënuar për vepra të rënda penale, “Vrasje me paramendim”, mbetur në tentativë, “Mbajtje pa leje e armëve” dhe “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë: dy garazhe, një apartament, një sipërfaqe trualli dhe një subjekt tregtar, të regjistruara në emër të të dënuarit ose të familjarëve të tij.
Policia thekson se hetimet vijojnë për të identifikuar dhe sekuestruar pasuri të tjera që dyshohet të jenë përfituar përmes aktivitetit kriminal të 32-vjeçarit.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore./Versus.al







