
Policia ka arrestuar një 53 vjeçar i cili dyshohet se është autori i vrasjes së Dodë Mamlit, në fshatin Vilëz, Kurbin.
Dashnor Tota dyshohet se e vrau 67 vjeçarit për motive pronësie, ku dhe gjatë kontrollit i është gjetur arma e zjarrit me të cilën dyshohet se ka krye krimin.
Ngjarja ndodhi ditën e djeshme rreth orës 18:00, në fshatin Vilëz, Zhejë, Kurbin, ku u mësua se një person u vra me armë zjarri dhe humbi jetën menjëherë, ndërsa autori i ngjarjes u arratis menjëherë nga vendngjarja.
Njoftimi i policisë:
Kurbin
Dyshohet se vrau me armë zjari, një 67-vjeçar, dje, në fshatin Vilëz, si rezultat i kontrolleve intensive nga Policia, kapet dhe vihet në pranga 53-vjeçari.
Operacioni për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi u zhvillua pa ndërprerë nga shërbimet operacionale të DVP Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.
Gjatë operacionit janë ushtruar kontrolle në të gjithë territorin e fshatit ku ndodhi ngjarja dhe në zonat përreth. Si rezultat, mesditën e sotme, është lokalizuar në fshatin Vilëz, është kapur dhe vënë në pranga shtetasi:
D. T., 53 vjeç, banues në fshatin Zhejë, Kurbin.
Në momentin e kapjes nga Policia, këtij shtetasi i është gjetur arma e zjarrit me të cilën dyshohet se ka vrarë 67-vjeçarin D. M., për motive pronësie.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të vrasjes.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.







