Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani ka zhvilluar sot një takim me studentë dhe pedagogë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës me të cilët ka diskutuar lidhur me domosdoshmërinë e llogaridhënies dhe sundimit të ligjit në vend.
“Kënaqësi të gjendem këtu. Larmia e temave është tërheqëse, por qenia ime sot këtu është në vazhdën e takimeve të organizuara edhe në universitete të tjera për të vazhduar komunikimin tonë ndërinstitucional. Besimi dhe drejtësia janë elementë të rëndësishëm; pa drejtësi nuk mund të ketë paqe dhe pa llogaridhënie nuk mund të ketë demokraci”- u shpreh Dumani.

Ndër të tjera, kryeprokurori i SPAK tha se institucioni që ai drejton ka treguar se vepron ndaj çdo personi apo fenomeni që dëmton shtetin, ndërsa shtoi se është i vetëdijshëm se ka ende punë për të çrrënjosur krimin e organizuar.
“Reforma në drejtësi u realizua me ndryshimet thelbësore kushtetuese. SPAK u krijua për të goditur fenomenet që dëmtojnë shtetin. SPAK është një ndër produktet e reformës në drejtësi dhe ka treguar se ushtron të drejtën ndaj çdo subjekti, pavarësisht lidhjeve me botën e krimit të organizuar apo të objekteve të caktuara. Jemi të vetëdijshëm që ka shumë punë ende për të çrrënjosur krimin e organizuar. Dëshiroj të theksoj se përpjekjet për ndërtimin e një sistemi drejtësie të paanshëm nuk mund të jenë të njëanshme pa ndihmën e shumë institucioneve në bashkëpunim”- deklaroi kreu i SPAK.
Në një raportim të bërë pak ditë më parë në KLP, Dumani theksoi bilancin negative të rënies së denoncimeve nga administrata publike për shkelje të ndryshme. Ndërsa kërkoi më shumë bashkëpunim mes institucioneve. Versus.al








