AKTUALITET /

Erion Veliaj kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës: Njoftimi i Apelit të GJKKO-së nuk u firmos nga unë!

Erion Veliaj ka depozituar kallëzim penal duke denoncuar falsifikimin e një nënshkrimi në një njoftim gjyqësor, që sipas tij synon t’i mohojë të drejtën kushtetuese për rekurs dhe një proces të rregullt ligjor.

Shkruar nga Versus
Erion Veliaj kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës:
Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar sot një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, duke akuzuar falsifikimin e një nënshkrimi në një dëftesë njoftimi gjyqësore.

Sipas kallëzimit, dokumenti i administruar në dosjen e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar mban një nënshkrim të rremë në emër të Veliajt, sikur ai të kishte marrë dijeni personalisht për një vendim gjyqësor.

Verifikimet zyrtare tregojnë se vendimi nuk ka mbërritur kurrë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës, ku Veliaj ndodhet i paraburgosur, një fakt i konfirmuar zyrtarisht nga I.E.V.P. Durrës.

Në kallëzim thuhet se mungesa e njoftimit real dhe ekzistenca e nënshkrimit të rremë përbëjnë provë të falsifikimit të aktit të komunikimit, me qëllim aktivizimin fiktiv të afateve procedurale për ushtrimin e rekursit në Gjykatën e Lartë.

Veliaj thekson se ky veprim cenon të drejtën kushtetuese për ankim, sigurinë juridike dhe parimin e procesit të rregullt ligjor.

Në kallëzim kërkohet regjistrimi i menjëhershëm i procedimit penal, ekspertimi grafik i nënshkrimit, hetimi i zinxhirit të plotë të personave që kanë hartuar, administruar apo përdorur dokumentin, si dhe hetimi i çdo vepre tjetër penale që mund të dalë gjatë procesit, përfshirë shpërdorimin e detyrës.

Një kopje e kallëzimit është dorëzuar edhe në Gjykatën e Lartë për të vërtetuar se afatet procedurale për rekurs nuk kanë filluar ligjërisht./Versus.al

Poll