AKTUALITET /

Çfarë shkruante Namir Lapardhaja për vdekjen e Gerti Bogdanit dhe Artur Zhejit?!

Gazetari Namir Lapardhaja kishte ndarë më herët reflektime të thella për ndarjet e papritura nga jeta, pas humbjes së Gert Bogdanit dhe Artur Zhejit. Mesazhet e tij sot rikthehen si një kujtesë e fortë për brishtësinë e jetës dhe vlerën e çdo momenti me njerëzit e dashur.

Shkruar nga Versus
Çfarë shkruante Namir Lapardhaja për vdekjen e Gerti Bogdanit
Namir Lapardhaja

Gazetari Namir Lapardhaja është ndarë nga jeta këtë të enjte pas një arresti kardiak, duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe kolegët e tij.

Largimi i tij i papritur rikthen në vëmendje reflektimet e thella që vetë Lapardhaja kishte ndarë më herët për brishtësinë e jetës dhe ikjet e papritura.

Në shtator të vitit 2024, pas ndarjes nga jeta të Gert Bogdanit, ai shkruante: “Ikjet e befasishme nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se përforcojnë idenë se jeta është një shajni vezulluese… Ikjet nuk janë gjë tjetër vetëm se Tjetri në kohën e shkuar dhe Vetja në kohën e ardhme.” 

Ndërsa në gusht 2025, pas humbjes së Artur Zhejit, ai theksonte se njeriu jeton të tashmen pa e ditur çfarë sjell e nesërmja, por kjo nuk duhet të kthehet në shkujdesje.

Sipas tij, ajo që mbetet është gjurma që lëmë përmes dashurisë, mirësisë dhe respektit ndaj të tjerëve.

"Njeriu jeton të tashmen, pa e ditur çfarë e pret nesër. Dhe ndoshta ky është një nga sekretet e jetës, sepse padija e së ardhmes na mban gjallë dhe na jep forcë për të ecur, por kjo nuk duhet të na bëjë të jetojmë me shkujdesjen e përditshme, si të mos na vinte kurrë radha. Koha do të kalojë dhe një ditë nuk do të jemi më. Lajmet do të mbushen me histori të reja, sirenat do të bien për të tjerë dhe lotët do të derdhen për njerëz të tjerë. Ajo që ka rëndësi është gjurma që lëmë dhe ajo do të varet nga sa dashuri, mirësi e respekt kemi shpërndarë në gjallje. Ndaj, duhet ndalur. Duhet marrë në telefon një mik, duhet thënë një fjalë e mirë, duhet shprehur dashuri prindërve, fëmijëve, të afërmve dhe miqve. Duhet kërkuar falje pa pritur e nesërmja, sepse ajo mund të mos vijë asnjëherë."

Mesazhi që analisti la pas mbetet i qartë: çdo ditë ka vlerë dhe dashuria duhet shprehur sa jemi ende në kohë./Versus.al

Poll