Landfilli i Elbasanit, vetëm 3 kilometra larg qytetit, u përfshi nga flakët që nga pasditja e të martës. Zjarri ka vijuar për më shumë se 24 orë, duke shkaktuar tym helmues që ka mbuluar Elbasanin, Cërrikun dhe zonat përreth.
Forcat zjarrfikëse u përballën me katër vatra zjarri njëkohësisht dhe, me ndihmën e zjarrfikësve nga qytete të tjera, arritën të vendosin flakët nën kontroll. Mëngjesin e të mërkurës situata është përmirësuar, ndërsa flakët janë neutralizuar, megjithatë plehrat vazhdojnë të digjen në thellësi dhe nxjerrin tym.
Sipas zëdhënësit të zjarrfikësve, situata mbetet e vështirë për shkak të përbërjes së ndryshme të mbetjeve urbane dhe thellësisë së vatërzjarrit. Masat e marra përfshijnë përdorimin e ujit, shkumës, dhe mbulim me dhe dhe zhavor për të kontrolluar zjarrin dhe tymnajat.
Landfilli, i menaxhuar nga kompania publike “Eco-Elb”, ka qenë prej vitesh problematik, pasi plehrave shpesh u vihet flaka. Inceneratori i Elbasanit, i cili do të shërbente për menaxhimin e mbetjeve, është jashtë funksionit. Rreth 50 mijë ton mbetje depozitohen çdo vit në këtë landfill nga 7 bashkitë e qarkut.
Derisa nuk është përcaktuar ende shkaku i zjarrit, policia ka nisur hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë për të zbuluar nëse zjarri ka qenë aksidental apo i qëllimshëm dhe për të identifikuar përgjegjësit.
Inceneratori i Elbasanit është i vetmi nga tre impiantet e partneritetit publik-privat që është përfunduar, ndërsa të tjera prej këtyre kontratave janë hetuar për korrupsion dhe pastrim parash nga SPAK. Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe zyrtarë të tjerë janë dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për aferën e inceneratorëve. /Versus.al







