AKTUALITET /

“Gati të jap çdo dokument që SPAK kërkon”, rektori i UBT për masat e sigurisë: Dëmtohet imazhi i universitetit

Shkruar nga Versus

“Gati të jap çdo dokument që SPAK kërkon”,

Fatbardh Sallaku rektori i universitetit Bujqësor të Tiranës ku SPAK lëshoi dje 24 masa sigurie për abuzime me tendera, mori fjalën i pari sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS ku ishte ftuar nga kryeministri Edi Rama.

Ai e nisi fjalën e tij duke thënë se të gjithë pedagogët ndaj të cilëve janë caktuar masat e sigurisë, kanë nisur procesin për të faktuar se nuk kanë gisht në këto pretendime të SPAK dhe se bëhet fjalë për një keqkuptim. Sallaku shtoi se situata e krijuar dëmton imazhin e universtiteti dhe mund të bëjë që studentët të stepen nga zgjedhja e tyre.

“Uroj që çdonjëri nga ata të faktojë se ka vepruar me ndershmëri duke zbatuar ligjin. Ajo që unë dua të theksoj është fakti që ky diskutim më shumë se jam i detyruar meqë jam rektor, por tashmë është një proces që ka filluar që para 3 viteve falë investimit personal të kryeministrit. Kemi 3 vite që punojmë me një nga universitetet më të mira në Evropë dhe jemi të detyruar të sqarojmë të gjithë partnerët tanë në lidhje me këtë. Me gjithë respektin që mund të kemi për çdo lloj ndërmarrje, por në rastin e institucioneve të arsimit të lartë, është shumë i rëndësishëm imazhi sepse bëhet fjalë për një universitet ku në esencë ka nevojën për të qenë i pranishëm dhe për të bindur të rinjtë të studiojnë në këto programe”- tha Sallaku.

Më tej rektori sqaroi se është i gatshëm të japë çdo dokument që SPAK-u ia kërkon. Ndërsa theksoi se ai vetë nuk ka pasur asnjë dijeni për procese tenderimi duke qenë se me ligjin e arsimit të lartë ndahet pjesa akademike me atë administrative.

“Unë jam i gatshëm të shkoj në çdo vend t’i sqaroj këto gjëra që po them. Por do doja shumë që të sqaronim 2 pozicione.  Unë nuk mbroj asnjë person që mund të ketë abuzuar dhe ia lë drejtësisë komplet dhe shpresoj shumë të jetë një proces sa më i ndershëm. Por dua të theksoj se kam shumë besim që UBT jo vetëm do ringrihet sepse kemi pasur goxha sfida më parë. Jemi ngritur në vitin ’90 kur askush nuk donte te studionte për bujqësi, më pas në ’97-ën dhe sërish pas 2015-ës.

Ne përgatitemi që brenda muajit mars të kemi gati ofertën e re akademike. Bëhet fjalë për një ristrukturim total duke filluar nga oferta akademike dhe duke vazhduar tek menaxhimi administrativ.  Aty është hapur një process, nuk kam asnjë lloj informacion çfarë është trajtuar. Ligji i arsimit të lartë e ndan mirë anën administrative me atë akademike. Do jemi bashkëpunues, kemi dhënë të gjitha informacionet e kërkuara. Dua të siguroj që unë nuk jam këtu për politikë”- shtoi rektori i UBT. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: