AKTUALITET /

GJKKO e la në burg, Gjokutaj viziton Metën te 313-ta: Do ta ankimojmë në Apel

Sot ose nesër do të bëhet dorëzimi i ankimit në apelin e GJKKO kundër vendimit për lënien në burg të Metës.

Shkruar nga Versus
GJKKO e la në burg, Gjokutaj viziton Metën te 313-ta: Do ta
Avokati Genc Gjokutaj në burgun 313 dhe foto e mëparshme e Metës teksa transportohej në paraburgim

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili u arrestua të hënën në një aksion të dhunshëm ndaj tij, u la dje në burg gjatë seancës në GJKKO.

Ndërkohë sot, avokati i tij Genc Gjokutaj ka shkuar ta vizitojë në qelinë e paraburgimit të burgut 313 dhe në dalje bëri me dije për mediat se po përgatit një ankimim kundër vendimit të djeshëm të GJKKO që la në fuqi masën e arrestit me burg ndaj ish-presidentit.

Gjokutaj tha se ankimimi mund të dorëzohet ditën e sotme ose të nesërme.

Të mërkurën GJKKO konfirmoi edhe masat e sigurisë ndaj deputetes Monika Kryemadhin për të cilën u caktua “detyrim paraqitje”, për Pirro Xhixhon u ndryshua masa nga ajo e “arrestit shtëpiak” në “detyrim paraqitje”, ndërsa për Ema Çokun u la në fuqi e njëjta masë “detyrim paraqitje”.

Ashtu si Ilir Meta edhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të pasurisë. Para mediave ajo u përpoq të hiqte fajin nga kreu i Partisë së Lirisë duke u shprehur se ai nuk kishte pasur asnjë dijeni mbi shpenzimet e bëra prej saj.  Sipas SPAK, ish-çifti i politikanëve akuzohet për ushtrim të pushtetit të tyre në favor të përfitimit të pasurive në mënyrë të paligjshme, duke fshehur më pas burimin. 2 dosjet që rëndojnë ndaj Metës, ajo e aferës CEZ-DIA dhe lobimi në SHBA janë bashkuar tashmë në një hetim të vetëm.

Ndërsa Pirro Xhixho, babai i deputetes së PL, Erisa Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv. Dyshohet se Xhixho duke shfrytëzuar postin e tij si kryetar i AKEP-it, institucion ku u propozua nga LSI-ja e atëhershme, ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizimin e një marrëveshje për futjen e fibrave optike nga kompania e kushëririt të Kryemadhit, duke e lënë këtë kompani të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP.  Ndërsa ndaj Ema Çokut rëndon akuza e bashkëpunimit me çiftin e politikanëve për pastrimin e parave.

Gjatë seancës së zhvilluar dje në GJKKO pati përplasje të ashpra ndaj kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe prokurorëve të SPAK. Sipas raportimeve të gazetarëve, Meta madje edhe kërcënoi kreun e SPAK, Altin Dumanin duke iu drejtuar me fjalët “mbaje mend çfarë do të bëj, të kam vath në vesh”. Për këto përplasje, Kryemadhi tha para mediave se Meta thjesht “i kishte përkëdhelur” prokurorët dhe se ata meritonin më keq se aq. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: