AKTUALITET /

Gjyqi për vrasjen e Martin Canit, dëshmojnë 5 të mitur! Autori mohon akuzën: Kam qëlluar vetëm Luis Meçen

5 të mitur do të dëshmojnë në gjyqin për vrasjen e Martin Canit.  Të miturit dëshmuan si persona që kanë dijeni për ngjarjen.

Shkruar nga Versus
Gjyqi për vrasjen e Martin Canit, dëshmojnë 5 të mitur!
Autori i dyshuar Mario Përlleshaj dhe viktima, Martin Cani

Në Gjykatën e Tiranës vijon procesi gjyqësor për vrasjen tragjike të 14-vjeçarit Martin Cani, një ngjarje që tronditi thellë opinionin publik dhe ndezi reagime të forta qytetare përballë mungesës së sigurisë në shkolla.

Në seancën e radhës, para trupit gjykues dëshmuan pesë të mitur, në cilësinë e personave me dijeni për rrethanat e krimit. Mes tyre ishte edhe i mituri K.B., i cili ndodhej në vendin e ngjarjes në momentin e krimit dhe është përmendur shpesh nga familjarët e viktimës si një dëshmitar kyç për zbardhjen e së vërtetës.

Dëshmitë e të miturve janë dhënë në mungesë të të pandehurit, Mario Perlleshaj, ashtu siç parashikohet nga ligji për mbrojtjen e të miturve në proceset gjyqësore. Nga ana tjetër, Perlleshaj vijon të mohojë akuzat për vrasje përmes mbrojtjes së tij ligjore, duke pretenduar se shënjestra e tij ka qenë vetëm Luis Meçe, i cili mbeti i plagosur, ndërsa viktima Martin Cani – sipas tij – nuk ka qenë në shënjestër.

Procesi ndodhet në një fazë kyçe, ku dëshmitë e bashkëmoshatarëve të përfshirë apo të pranishëm në momentin e ngjarjes mund të hedhin dritë mbi dinamiken reale të konfliktit fatal. Seanca e ardhshme do të zhvillohet me dëshminë e shtatë personave të tjerë, përfshirë katër të mitur që pritet të kontribuojnë në zbardhjen e rrethanave.

Si ndodhi ngjarja

Krimi ndodhi më 18 nëntor 2024, vetëm 200 metra larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Martin Cani u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij Mario Perlleshaj, pas një konflikti që kishte nisur disa ditë më herët brenda ambienteve të shkollës për motive banale. Edhe pse konflikti fillimisht ishte shuar nga punonjësit e sigurisë, ai u rindez më 18 nëntor, duke përfunduar në tragjedi.

Paraditen e asaj dite, dy të miturit u përballën në tualetet e shkollës, ku pati sërish përplasje verbale, por ndërhyrja e rojes i ndau. Konflikti përshkallëzoi në orët e pasdites, kur palët u ritakuan jashtë shkollës së bashku me shokët respektivë. Aty shpërtheu një përleshje fizike që përfundoi me vrasjen e Martinit, plagosjen e shokut të tij dhe vetëplagosjen e autorit, i cili përdori të njëjtën thikë për të goditur. Pas ngjarjes, autori u largua dhe hodhi çantën me thikën në një ndërtesë të braktisur. Ajo u gjet disa ditë më vonë, ndërsa ekspertiza konfirmoi se ishte mjeti me të cilin ishte kryer krimi.

Ngjarja ndezi protesta masive qytetare, me thirrje për më shumë siguri në shkolla dhe përgjegjësi institucionale për dështimin në parandalimin e dhunës. Familjarët e viktimës vijojnë të kërkojnë drejtësi të plotë dhe zbardhje të çdo detaji, në një proces që ka vënë në provë funksionimin e sistemit gjyqësor dhe mbrojtjen e fëmijëve në Shqipëri. Versus.al

Poll