AKTUALITET /

Goditet rrjeti kriminal ndërkombëtar, në pranga 7 shqiptarë organizatorë të transportit rrugor të drogës nga Belgjika drejt Francës

Gjatë operacionit u sekuestruan 13 kilogramë kokainë, 26 kilogramë produkte kimike për përzierjen e drogës, sasi acetoni dhe amoniaku, pajisje për përgatitjen dhe paketimin e narkotikëve

Shkruar nga Versus

Goditet rrjeti kriminal ndërkombëtar, në pranga 7 shqiptarë

Një operacion i gjerë i autoriteteve franceze dhe belge ka çuar në goditjen e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës, i drejtuar nga shtetas shqiptarë. Operacioni u zhvillua në dy faza, më 10 dhe 11 qershor, duke rezultuar në arrestimin e nëntë personave, shtatë prej të cilëve shqiptarë.

Në Francë, xhandarmëria zhvilloi rreth një duzinë kontrollesh në rajonin e Bretanjës, ku u arrestuan katër shtetas shqiptarë të moshave 21, 30, 30 dhe 32 vjeç. Ata dyshohen se ishin pjesë e një organizate kriminale që merrej me transportin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike mes Belgjikës dhe Francës.

Një ditë më vonë, autoritetet belge zhvilluan 14 kontrolle të tjera, duke arrestuar pesë persona, mes të cilëve tre shtetas shqiptarë. Sipas hetimeve që kanë zgjatur prej disa muajsh, grupi përdorte një apartament në Belgjikë si laborator për pranimin, përpunimin dhe paketimin e drogës përpara se ajo të shpërndahej në tregun francez.

Prokurori francez Frédéric Teillet deklaroi se organizata ishte e strukturuar dhe përdorte automjete të pajisura me vende të fshehta të sofistikuara për transportin e lëndëve narkotike, me qëllim shmangien e kontrolleve nga autoritetet.

Gjatë operacionit u sekuestruan 13 kilogramë kokainë, 26 kilogramë produkte kimike për përzierjen e drogës, sasi acetoni dhe amoniaku, pajisje për përgatitjen dhe paketimin e narkotikëve, si dhe një presë për kokainë me logo të ndryshme.

Autoritetet sekuestruan gjithashtu dy armë zjarri, një armë gjahu, 19 automjete, disa prej tyre me vlerë të lartë, si dhe bizhuteri me vlerë të vlerësuar rreth 400 mijë euro. Në operacion u gjetën mbi 90 mijë euro cash, ndërsa 37 mijë euro të tjera u bllokuan në llogari bankare. Në Belgjikë u ngrinë gjithashtu 38 llogari bankare.

Sipas autoriteteve, bashkëpunimi mes policisë belge dhe xhandarmërisë franceze ishte vendimtar për çmontimin e këtij rrjeti të trafikut ndërkombëtar të drogës, i cili vepronte në disa vende europiane.Versus.al

Poll