Specialistët e Komisariatit të Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë F.M., 33 vjeç, banues në Fushë-Milot, pasi dyshohet se ka goditur me sende të forta një 70-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta në Lezhë.
Viktima ndodhet në Spitalin e Traumës, duke marrë trajtim mjekësor, ndërsa i arrestuari u dërgua në spital për shkak të dëmtimeve të lehta që pësoi gjatë paraburgimit.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë shtetasin F. M., 33 vjeç, banues në Fushë-Milot, Kurbin, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta një 70 vjeçar, banues në të njëjtin vend. Aktualisht, 70-vjeçari, ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve. Shtetasi F. M., në ambientet e paraburgimit ka goditur murin me kokë, duke pësuar dëmtime të lehta, i cili u dërgua për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Lezhë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve dhe shoqërimin e shërbimeve të Policisë. - Specialistët e Seksionit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori për shtetasin D. L., 31 vjeç, banues në Kurbin, pasi duke drejtuar automjetin tip “Mercedes Benz”, në qytetin e Kurbinit ka aksidentuar këmbësoren, shtetasen F. R., 55 vjeçe, e cila është transportuar në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. -Po këta, specialistët referuan materialet për shtetasin Xh. B., 39 vjeç, banues në Shkodër, pasi në aksin rrugor Milot–Lezhë, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin e automjetit dhe automjeti është përplasur me dy automjete të tjera, me drejtues shtetasit M. M., 68 vjeç, banues në Kosovë, dhe E. D., 32 vjeç, banues në Lezhë. Si pasojë e përplasjes kanë marrë dëmtime të lehta dy pasagjeret që ndodheshin në automjetin me drejtues shtetasin M. M. Pas marrjes së ndihmës mjekësore në Spitalin Rajonal Lezhë ato janë larguar për në banesë. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.







