
Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi arrestin në burg, caktuar nga Shkalla e Parë për Zambak Gjonin, ish-drejtor burgu njëherësh ish-funksionar pranë Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe ekspertit të IT-së pranë Hipotekës Arnold Rrokaj.
Të dy akuzohen për veprën penale “Ndërhyrje e paautorizuar kompjuterike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Zambak Gjoni pretendon se SPAK nuk mund ta provojë kryerjen e kësaj vepre penale.
“Nuk provohet vepra penale e ndërhyrjes së paautorizuar kompjuterike, pasi vetë SPAK, nuk thotë që Gjoni ka ndërhyrë personalisht në këto të dhëna. Sa i takon veprës së dytë për grup kriminal, a mund të na thotë organi hetues se cili ka qenë qëllimi apo përfitimi i Zambak Gjonit? Nga të dhënat e deritanishme, prokuroria nuk evidenton se cili ka qenë përfitimi”, mësohet të ketë thënë mbrojtja.
Por përkundër këtyre pretendimeve, gjyqtari Dhimitër Lara vendosi vijimin e masës arrest në burg. SPAK thotë se mes prokurorëve që u tentua ti merreshin të dhëna nga adresa e email-it ishte edhe Altin Dumani, por nuk patën sukses, pavarësisht se pranon që u morën informacione nga disa adresa emailesh të 3 prokurorëve të posaçëm. Ngjarja ndodhi më 12 mars të këtij viti dhe disa prokuror ranë pre e sulmeve, mes të cilëve Behar Dibra, Elida Kaçkini dhe Enkeleda Millonai.
Pas arrestimit të dy të dyshuarve, u raportua se SPAK ka kryer kontrolle edhe në zyrën e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Por ky i fundit reagoi duke mohuar kategorikisht diçka të tillë. Versus.al








