
Sot në orën 09:30 pritet të mbahet seanca paraprake e radhës për aferën “Partizani”, e disata që prej tetorit të vitit të kaluar kur u mbajt seanca e parë.
Pritet të vendoset nëse dosja do të kalojë për gjykim, ndërkohë që të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina.
Në seancën e sotme pritet që prokurorët e posaçëm të ballafaqohen me pyetjet e bëra nga avokatët e të pandehurve. Pas ballafaqimit të fakteve, gjyqtarja Flojera Davidhi do të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim ose jo. Në rast se po, kreu i PD Sali Berisha do të rrezikonte dënimin për akuzën e kryerjes së veprës penale “korrupsion pasiv” në bashkëpunim.
Prej shtatorit të vitit të kaluar kur dosja u kalua për gjykim, seancat janë shtyrë njëra pas tjetrës me kërkesën e avokatëve të të pandehurve për t’u njohur me materialet hetimore dhe provat që prokurorët pretendojnë se kanë ndaj klientëve të tyre.
Aktualisht i vetmi në arrest shtëpie prej të pandehurve, është Jamarbër Malltezi, ndërsa kryedemokrati Sali Berisha u lirua në nëntor të vitit të kaluar pas një arresti 11 mujor. SPAK dyshon se të pandehurit kanë bashkëpunuar për të kryer privatizimin e ish-kompleksit sportive “Partizani” në shkelje të ligjeve duke përfituar nga pozita e Malltezit dhe lidhja e tij me Berishën në kohën kur ky i fundit ishte kryeministër. Versus.al








