Bashkia e Tiranës është goditur nga një tjetër sulm kibernetik, për të cilin përgjegjësinë e ka marrë grupi famëkeq iranian “Homeland Justice”. Sulmi ka shkaktuar ndërprerje të shërbimeve online për qytetarët dhe ka ngjallur shqetësim lidhur me sigurinë e sistemeve digjitale në administratën vendore.
Menjëherë pas sulmit, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka reaguar përmes një deklarate zyrtare ku konfirmon se po bashkëpunon ngushtë me Policinë e Shtetit dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për analizimin e situatës dhe për rikthimin sa më të shpejtë të funksionit të plotë të platformave digjitale të Bashkisë.
“Po punojmë për analizimin teknik të sulmit, izolimin e problemeve të shkaktuara dhe rikthimin e shërbimeve online në funksion të qytetarëve,” thuhet në njoftimin e AKSK-së, duke theksuar se prioritet mbetet siguria e informacionit dhe parandalimi i dëmeve të mëtejshme.
Sulmi vjen pas një sërë goditjesh kibernetike të mëparshme ndaj sistemeve shtetërore shqiptare, të cilat gjithashtu janë lidhur me aktorë shtetërorë të huaj, kryesisht nga Irani. Grupi “Homeland Justice”, i cili më herët ka marrë përgjegjësinë edhe për sulmin ndaj sistemeve të qeverisë shqiptare në vitin 2022, ka publikuar materiale që pretendon se janë shkarkuar nga serverat e Bashkisë së Tiranës, por institucionet nuk kanë dhënë ende informacion zyrtar mbi natyrën apo përmbajtjen e tyre.
Ndërkohë, ekspertët e sigurisë kibernetike po vijojnë punën për të verifikuar shkallën e komprometimit dhe për të garantuar rikuperimin e plotë të të dhënave dhe shërbimeve. Mbetet e paqartë nëse ka pasur rrjedhje të të dhënave personale apo sensitive të qytetarëve.
Ky zhvillim thekson edhe një herë nevojën për rritjen e investimeve në infrastrukturën e sigurisë digjitale dhe përmirësimin e reagimit institucional në rastet e sulmeve të tilla që vënë në rrezik funksionimin e shtetit dhe besimin e qytetarëve në sistemin online të shërbimeve publike.
Reagimi:
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informon opinionin publik se ditën e sotme është konstatuar një incident kibernetik që ka prekur disa prej infrastrukturave dhe sistemeve të informacionit të Bashkisë Tiranë.
Nga vlerësimi paraprak, incidenti ka ndikuar në funksionimin normal të disa shërbimeve dhe aplikacioneve që administrohen nga kjo bashki.
Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit për rastin, AKSK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha hapat e parashikuara nga procedurat operative të reagimit ndaj incidenteve, duke ngritur një grup të dedikuar pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike. Ky grup ka nisur menjëherë punën në terren në bashkëpunim të ngushtë me stafin teknik të Bashkisë Tiranë për të:
• Kryer analizën fillestare të komprometimit të infrastrukturës dhe identifikimin e pikave të hyrjes së sulmit;
• Izoluar dhe kufizuar përhapjen e ndikimit në sistemet e tjera të ndërlidhura;
• Ndërmarrë masat e para për rikthimin e funksionimit të sistemeve të goditura;
• Hartuar rekomandimet e para për përmirësimin e sigurisë dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës në infrastrukturat përkatëse.
Aktualisht, punonjësit e AKSK-së janë në terren dhe në koordinim të plotë me autoritetet vendore, Policinë e Shtetit, si edhe AKSHI-n për analizën e malware-t si edhe me institucionet përgjegjëse, për të siguruar një rikthim sa më të shpejtë dhe të sigurt të sistemeve në funksionalitet të plotë.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dënon çdo akt që cënon infrastrukturat kritike të informacionit dhe mbetet i përkushtuar në garantimin e integritetit, konfidencialitetit dhe disponueshmërisë së sistemeve të teknologjisë së informacionit në Republikën e Shqipërisë.
Në vijim do të ofrojmë përditësime të mëtejshme mbi ecurinë e hetimeve dhe masat e ndërmarra, në përputhje me zhvillimet dhe informacionin e konfirmuar teknikisht.
Për çdo informacion zyrtar, qytetarët dhe mediat ftohen të referohen vetëm në kanalet zyrtare të AKSK. /Versus.al







