Në Sarandë, administratori i “Orange Club”, Ermal Fataj, i arrestuar pas vdekjes së 33-vjeçarit Igli Gjoca gjatë punimeve në ambientet e lokalit, ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve duke mohuar se viktima ishte i punësuar.
Sipas Fatajt, Gjoca kishte shkuar në lokal në pasditen e 9 prillit si mik i pronarit dhe jo si punonjës, me qëllim për të parë punimet që po kryheshin dhe për të dhënë mendim, duke qenë se kishte njohje të afërt me ambientin dhe ishte i angazhuar në një servis lyerjeje makinash.
Ai ka këmbëngulur se nuk bëhej fjalë për marrëdhënie pune.
Megjithatë, burime të tjera raportojnë se 33-vjeçari ka pasur më herët angazhim në këtë lokal, si në përgatitjet e sezonit turistik ashtu edhe si kamarier, çka hedh dyshime mbi deklaratat e administratorit dhe statusin real të tij në momentin e ngjarjes.
Ngjarja rikthen vëmendjen edhe te historiku i këtij subjekti, i cili është përfshirë më parë në një tjetër incident fatal.
Dy vite më parë, në të njëjtat ambiente, një 17-vjeçar humbi jetën pas një aksidenti me ashensor mallrash, duke ngritur shqetësime për kushtet e sigurisë në vendin e punës dhe përgjegjësinë e menaxhimit të lokalit./ Versus.al

