Një apartament në lagjen Pinares, në Pereira, i ka dhënë fund arratisë së një shtetasi shqiptar të kërkuar nga autoritetet europiane.
Bëhet fjalë për Florind Rama, i njohur edhe me aliasin Terziu Florín, ndaj të cilit ishte lëshuar një njoftim i kuq nga Interpol për përfshirje të dyshuar në një rast rrëmbimi, torture dhe vrasjeje të ndodhur në vitin 2022 në Marbella, Spanjë.
Sipas mediave kolumbiane, arrestimi është rezultat i një ndjekjeje që ka zgjatur rreth 30 ditë.
Një njësi e forcave të posaçme të Policisë Metropolitane të Pereira-s ka dokumentuar lëvizjet e tij në zona si Cerritos, Pinares dhe Álamos, ku ai ndryshonte shpesh automjetet dhe rutinën e tij, duke ngritur dyshime te shërbimet e inteligjencës.
Kur u ndalua, ai dyshohet se u përpoq të identifikohej si shtetas gjerman, por hetuesit kishin tashmë informacion për origjinën e tij shqiptare dhe të kaluarën kriminale në Europë.
Po ashtu, ai dyshohet se përdorte të paktën dy pasaporta për të lëvizur në vende si Britania e Madhe, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Gjermania dhe Spanja.
View this post on Instagram
Autoritetet e lidhin atë me struktura kriminale që veprojnë në zonën e Costa del Sol në Spanjë, një rajon i njohur për aktivitetet e organizatave të trafikut të drogës.
Emri i tij lidhet me rrjete kriminale me shtrirje në disa vende të Europës dhe Amerikës.
Hetimet për rastin kryesor lidhen me vrasjen e Aleksandar K., një shtetas serb, trupi i të cilit u gjet më 30 qershor 2022 në urbanizimin Golden Beach në Marbella, me shenja torture dhe plagë me armë zjarri.
Çështja ka çuar në urdhra arresti ndërkombëtarë të lëshuar nga gjykatat spanjolle.
Sipas dosjeve hetimore, viktima kishte lidhje me rrjete të trafikut të drogës dhe dyshohej se kishte bashkëpunuar me autoritete gjermane si informator.
Ai konsiderohej një figurë kyçe në hetime për rrjete kriminale ndërkombëtare.
Florind Rama dyshohet se është i lidhur me organizata kriminale të origjinës ballkanike dhe grupe që veprojnë midis Malit të Zi, Serbisë dhe Kroacisë, si dhe me kontakte në Gjermani.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu lidhje të mundshme me rrjete të trafikut të drogës në Amerikë dhe Europë.
Në kuadër të hetimeve, autoritetet kanë analizuar edhe mjetet e përdorura në krim, përfshirë automjete luksoze dhe prova balistike që mund të lidhen me ngjarje të tjera kriminale në Gjermani.
Prania e tij në Pereira ka hapur linja të reja hetimi, përfshirë mundësinë e lidhjeve me grupe lokale kriminale dhe organizata ndërkombëtare të trafikut të drogës.
Operacioni është realizuar në bashkëpunim mes autoriteteve kolumbiane dhe agjencive ndërkombëtare si Europol dhe struktura amerikane të sigurisë.
Ndërkohë, Florind Rama pritet të përballet me procedurat e ekstradimit drejt Europës, ku kërkohet për disa akuza të rënda, përfshirë vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.Përshtati në shqip Versus.al

