Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka konfiskuar apartamentin e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, i cili është shpallur fajtor për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë.
Një vendim i Apelit të GJKKO-s, i marrë më 13 shkurt 2024, ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë që shpalli Dedjan fajtor dhe e dënoi atë me 6 muaj burgim. Ndërkohë, kjo masë dënimi është pezulluar dhe ai do të jetë nën shërbim prove për një periudhë prej një viti.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese kishte kaluar shkallën e parë të Vetingut, por më pas u rrëzua nga një vendim i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), i cili e lidhte atë me një kontratë me OSHEE-përmes së cilës ishte në zotërim një apartament në Golem, i cili pretendoheshin se ishte i vëllait të tij.
Hetimet ndaj Dedjas filluan nga SPAK në maj 2020, për shkak të dyshimeve mbi pronësinë e pasurive të paluajtshme që ai nuk i justifikonte me burime ligjore. SPAK arriti të sigurojë një urdhër sekuestrimi për një shtëpi me sipërfaqe 60 m² në Golem, në emër të Dedjas.
Ai u shpall fajtor dhe u dënuar në shkallën e parë më 26 qershor 2023 për veprën penale "Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose të çdo personi tjetër me detyrimin ligjor për të deklaruar".








