
DEA amerikane dyshohet se ka luajtur një rol kyç në goditjen e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës, përmes një operacioni të sofistikuar me dorëzim të kontrolluar.
Kjo rezulton nga dosja hetimore “Black Eagle”, e siguruar nga InfoNews.
Sipas dokumenteve hetimore, ngjarja nisi pasi autoritetet amerikane sekuestruan rreth 441 kilogramë kokainë në Karaibe, ngarkesë që kishte si destinacion Barcelonën.
Në vend që droga të hiqej menjëherë nga qarkullimi, autoritetet amerikane, në bashkëpunim me ato spanjolle, organizuan një operacion të fshehtë, duke përdorur agjentë të infiltruar për të identifikuar dhe arrestuar personat që prisnin ngarkesën në Spanjë.
Operacioni arriti kulmin më 14 janar 2020 në Barcelonë, ku u arrestuan katër persona të dyshuar dhe u godit rrjeti që dyshohej se ishte përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Dosja “Black Eagle” përmban edhe biseda të përgjuara mes personave të përfshirë, të cilat, sipas hetuesve, tregojnë momentin kur ata kuptojnë se operacioni ishte organizuar nga DEA.
Në një prej komunikimeve të administruara në dosje dëgjohet:
“I huma nja 50 buk dje.”
“Ça thu?”
“Po, po.”
“Mi patën fut vlonjatët nga Brazili për në Spanjë me anije, kështu që i marrin në ujë.”
“Kjo anija e Spanjës që i solli paskan qenë DEA.”
Këto komunikime janë pjesë e materialeve hetimore të administruara në dosjen “Black Eagle” dhe po vlerësohen nga autoritetet në kuadër të hetimeve mbi aktivitetin e rrjetit të dyshuar kriminal.

