Policia Kufitare e Vlorës ka ndërmarrë masa ndaj dy drejtuesve të mjeteve lundruese, të cilët u konstatuan duke lëvizur në afërsi të bregut dhe duke rrezikuar sigurinë e pushuesve.
Në një nga rastet, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, identifikuan drejtuesin e një mjeti lundrues tip Jet Ski, i cili po lundronte pranë bregut në plazhin e Semanit.
Për shkeljen e konstatuar, drejtuesi u ndëshkua me gjobë prej 500 mijë lekësh të rinj, ndërsa mjeti lundrues u bllokua administrativisht.
Gjatë kontrolleve në zonën e quajtur Plazhi i Hidrovorit, Policia konstatoi edhe një gomone që lëvizte në mënyrë të paligjshme pranë pushuesve.
Nga verifikimet rezultoi se drejtuesi i saj nuk dispononte dokumentacionin përkatës të mjetit lundrues.
Për këtë shkelje, ndaj tij u vendos një masë administrative prej 510 mijë lekë, si dhe u bllokua administrativisht gomonia.
Policia e Shtetit u bën apel të gjithë drejtuesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që ushtrojnë aktivitet në det të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë, duke paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë dhe çdo shkelje do të ndëshkohet me masa të menjëhershme, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve.

