Një armë e dytë zjarri është sekuestruar nga policia pranë vendit ku mbrëmjen e 9 korrikut u vra Ilir Gjini, në lagjen “Erdogan” të qytetit të Laçit.
Revolveri u gjet gjatë kontrolleve të kryera nga grupi hetimor, të cilat u orientuan edhe nga informacionet e marra gjatë marrjes në pyetje të personave të shoqëruar në polici.
Arma është dërguar për ekspertizë balistike, e cila pritet të përcaktojë nëse është përdorur në vrasje, kujt i përket dhe nëse gjatë ngjarjes ka pasur shkëmbim zjarri.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se në vendin e krimit kanë qenë të pranishëm edhe persona të tjerë, përveç autorit të dyshuar dhe viktimës, çka po verifikohet nga grupi hetimor.
Për vrasjen e Ilir Gjinit vijon të jetë në kërkim Emiljan Suti, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë pasur rol në krim./Versus.al

