Policia e Beratit ka arrestuar një 48 vjeçar, për atentatin e dështuar ndaj Altin Halilit, i ndodhur më 26 gusht.
Sipas policisë Iliaz Toska ka përkrahuar autorët e ngjarjes duke i larguar me mjet nga fshati Kozare, ku dhe u gjet automjeti i djegur.
Grupi i posaçëm hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Altin Halili i shpëtoi mrekullisht atentatit, pasi mjeti i tij u qëllua me breshëri plumbash teksa ishte në lëvizje në Berat.
Ai është një emër për policinë pasi ka qënë dënuar për vrasjen e Sokol Kaloshit ngjarje e shënuar në vitin 1997 në Rremas të Lushnjës.
Për këtë krim Halili u dënua me 15 vite burg dhe u la i lirë në vitin 2010.
Njoftimi i policisë:
Berat
Veprime të thelluara hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në datën 26.08.2024, në rrugën e fshatit Dushnik, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një automjeti, me qëllim vrasjen e drejtuesit të automjetit.
Identifikohet, kapet dhe ndalohet, shtetasi që largoi nga vendi i ngjarjes ku dogjën autmomjetin, autorët që qëlluan me armë në drejtim të automjetit që drejtohej nga 48-vjecari A. H.
Grupi i Posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat i ngritur për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbasditen e datës 26.08.2024, në rrugën e fshatit Dushnik, ka vijuar intensivisht veprimet e thelluara hetimore në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Berat, identifikuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin I.T., 48 vjeç, banues në Divjakë.
Nga hetimet e thelluara procedurale rezultoi se 48-vjeçari ka përkrahur autorët e ngjarjes, duke i larguar ata me automjet nga fshati Kozare, ku u gjet i djegur automjeti i tyre.
Grupi i posaçëm hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme./Versus.al








