AKTUALITET /

I pandehur për abuzim me tenderat, GJKKO i heq pezullimin nga detyra, kreut të Prokurimeve Publike

Myzyri mbetet vetëm me masën "detyrim paraqitje" në SPAK për shkelje të barazisë në tendera.

Shkruar nga Versus

I pandehur për abuzim me tenderat, GJKKO i heq pezullimin nga detyra, kreut

GJKKO heq masën e pezullimit nga detyra për kreun e komisionit të prokurimeve publike, Jonaid Myzyri. Mbetet në fuqi vetëm masa detyrim paraqitje. Myzyri i dyshuar për shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike.

Sipas burimeve nga SPAK, në KPP Myzyrit i ka përfunduar mandati, dhe masa e pezullimit nga detyra është e paarsyeshme. Por kjo sipas interpretimeve të ndryshme, nuk përbën pengesë që Myzyri të ushtrojë një detyrë tjetër shtetërore.

Kujtojmë se më herët janë publikuar edhe përgjimet që SPAK ka siguruar për të vënë nën akuzë Myzyrin për shkelje barazie në tendera. Një prej vartëseve të tij, Jonida Sekja e cila është marrë e pandehur për shpërdorim detyre, i tregonte një bashkëbiseduesi në telefon sesi kishte firmosur sipas urdhrave të Myzyrit për tendera abuzivë dhe se tani i duhej të paraqitej në SPAK për t’u marrë në pyetje.

SPAK pretendon se hetimet deri më tani kanë krijuar dyshime të arsyeshme se në tenderat  “Mirëmbajtje rutinë me performancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal-Q.Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit”, me fond limit 219.866.693 lekë pa TVSH si dhe në vendimmarrje të tjera, ekzistojnë elementë të veprimeve të kundraligjshme që mund të kenë ndikuar në këto vendime. Përveç këtij tenderi, prokurori Elvin Gokaj po heton edhe procedurat e tenderave përgjatë viteve 2020-2023 pasi ka dyshime të forta se janë zhvilluar pa garë, pasi në shumë raste rezulton pjesëmarrëse vetëm një kompani, e në raste të tjera, kompanitë janë skualifikuar padrejtësisht. Versus.al

 

Poll