Një operacion i zgjeruar i Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, ka çuar në sekuestrimin e një sërë pasurish të konsiderueshme në Gjirokastër, të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale.
Në kuadër të një procedimi pasuror të regjistruar pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, janë vendosur nën sekuestro pasuritë e shtetasit K. B., alias S. B., 45 vjeç, banues në fshatin Valare, Gjirokastër, i dyshuar si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal që ka vepruar në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë:
Një lokal bar-kafe dhe hotel katërkatësh në lagjen “18 Shtatori”, Gjirokastër;
Një ndërtesë dykatëshe + papafingo me sipërfaqe totale 393.3 m² në fshatin Valare;
Një ndërtesë tjetër dykatëshe me sipërfaqe 235 m² në po të njëjtin fshat;
Truall me sipërfaqe 1216 m², në lagjen “Grehot”, me ndërtesë (servis makinash) me sipërfaqe 276 m²;
Një lokal me sipërfaqe 30 m² në lagjen “Grehot”;
Një automjet luksoz tip “Audi Q7”.
Po ashtu, janë vënë në sekuestro edhe 8 automjete të tjera, në pronësi të shtetasit 45-vjeçar dhe familjarëve të tij, ndërsa vijojnë përpjekjet për lokalizimin dhe sekuestrimin e tyre fizik.
Pasuritë dyshohet se janë përfituar përmes aktivitetit kriminal, dhe masat janë marrë në bazë të ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe të trafikut të paligjshëm nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.







