Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në homazhet për shkrimtarin e madh Ismail Kadare ku mbajti edhe fjalimin e vetëm, duke thënë se kështu kishte kërkuar Helene Kadare, bashkëshortja e gjeniut të letrave shqipe.
Ai e nisi fjalimin e tij duke shpjeguar vendosjen e instalacionit të shenjtores Nënë Tereza pranë arkëmortit të Ismail Kadaresë dhe tregoi se diçka e tillë nuk kishte qenë e planifikuar por megjithatë e pa si detajin e shkëlqyer për një ngjarje të tillë ku përcillet siç e cilësoi ai “shqiptari që i takon botës”.
“Me kishte ardhur më parë, njoftimi që salla ishte e zënë dhe Nënë Tereza nuk lëvizej dot prej aty. Më erdhi bashkë me foton e kësaj skene që po montohej për një shfaqje sonte në darkë. Lëreni aty u thashë nuk ka më mirë. Askujt nuk i shkonte mendja, çka rastësia e solli këtu, enkas për Ismailin. Dhe më mirë sesa nën hijen e saj, shqiptares që i takon botës asesi tjetër nuk mund të bëhej ceremonia e përcjelljes së shqiptarit që i takon botës”- tha Rama.
Teksa foli për përgatitjet ceremoniale për funeralin e Kadaresë, Rama përmendi edhe një pyetje që ia kishte bërë shpesh shkrimtarit për arsyen pse kishte zgjedhur të mos shkruante më.
“I dashur Ismail nuk ta tregoj dot se ç’më panë sytë e çmë tha mendja duke u marrë me funeralin tënd. Por të falenderoj se me këtë novelë të pashkruar më dhe përgjigjien që nuk ta mora dot sa ishte gjallë kur më thoje nuk shkruaj më dhe kur të pyesja “pse jo”, më thoje se i kam thënë të tëra. Sot jam i bindur se i tha të tëra ç’kishte për të thënë dhe jam i bindur se ky vend nuk do reshtë së përsërituri gjithçka Ismail Kadare tha për të”- shtoi kryeministri. Versus.al








