
Tiranë- 14 vjeçari i cili mbeti i plagosur në ngjarjen e rëndë të ndodhur më 18 nëntor pranë shkollës “Fan Noli” ku u vra shoku i tij M.C, ka dhënë dëshmi para grupit hetimor ku ka bërë me dije se kanë qenë 2 persona që i kanë sulmuar me thikë dhe jo vetëm 14 vjeçari i arrestuar.
Ai ka deklaruar se janë goditur edhe nga i mituri me iniciale G.B i cili raportohet të ketë pasur një thikë më të vogël. Të njëjtën gjë e deklaroi edhe babai i të miturit të plagosur, i cili është marrë në pyetje sërish sot pas deklaratës së bërë për mediat ku rrëfeu se çfarë i kishte treguar i biri.
Detajet e reja të zbuluara nga dëshmia e të miturit i cili po merr ndihmë mjekësore në spital, kanë bërë që policia të vijojë me sekuestrimin e kamerave të sigurisë pranë vendngjarjes duke nisur me kqyrjen e provave nga e para. Nga këqyrja e parë e kamerave, është konstatuar autori së bashku me dy bashkëmoshatarë të tjerë të cilët largohen me vrap nga vendngjarja. Ndërsa më pas një person i ka marrë një person me makinë pranë ish-ATSH. Thika që u gjet nga policia ishte më e vogël sesa ajo që shfaqet në videon e publikuar nga vetë autori 14 vjeçar, e cila i përngjante një thike që përdoret për gjueti.
Ky fakt ka ngritur dyshimet te policia se mund të kenë qënë dy autorë të cilët dyshohet se kanë qëlluar me dy thika të ndryshme. Edhe telefonat celularë të autorit të arrestuar dhe dy shokëve të tij ende nuk janë gjetur nga policia. Versus.al








