
SPAK ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, dosjen e Gazmir Preçit, ish-shefi i narkotikëvë në Durrës.
Preçi akuzohet për veprën penale ' korrupsion pasiv' pasi sipas Spak i ka kërkuar dhe i ka marrë shtetasit me inicialet B.T, shumën prej 10 mijë euro, në këmbim të mosushtrimeve të kontrollove në lokalin që ky posedonte, ku ushtrohej muzikë live.
Njoftim i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas përfundimit të hetimeve paraprake për procedimin penal nr.170 të vitit 2024, ka paraqitur më 03.02.2025 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për dërgimin në gjyq në ngarkim të të pandehurit:
Gazmir Preçi, punonjës i policisë së shtetit, ish shef i Sektorit të Narkotikëve në DVP Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Në përfundimin e hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Gazmir Preçi i ka kërkuar dhe marrë një shumë monetare në vlerën 10,000 (dhjete mijë) euro shtetasit B.T, në këmbim të mosushtrimit të kontrolleve në lokalin e poseduar prej tij, ku ushtrohej aktiviteti “muzikë live” dhe ishin punësuar shtetas shqiptarë e të huaj.
Hetimet e këtij procedimi u kryen në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Gazmir Preçit iu vunë prangat gushtit të vitit të kaluar në zonën e Kinostudios, për shkak se sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), ai kishte kërkuar një biznesmeni 20 mijë euro në mënyrë që të mos i mbyllte aktivitetin.
Gazmir Preçi ishte paraqitur tek një lokal nate, në afërsi të Urës së Dajlanit, ku kishte takuar pronarin duke i thënë se kishte disa vajza që punonin të paregjistruara.
Më pas shefi i anti-trafiqeve, i ka dërguar një sekser biznesmenit që t’i kërkonte 20 mijë euro në mënyrë që të mos kryheshin veprime.
Pronari i klubit të natës, në këto kushte iu drejtua drejtorisë së AMP ku dhe bëri denoncim, ndërsa këta të fundit referuan rastin në SPAK./Versus.al







