
Gjashtëmbëdhjetë familje që kanë banesat pranë kanalit të ujërave tek Ura e Dajlanit, ishin sot në Bashkinë Durrës, ku kërkojnë zgjidhje për strehimin e tyre, pasi projekti i ri urbanistik ua shemb shtëpitë.
Disa prej tyre protestuan para bashkisë për të kërkuar mbështetjen e institucioneve, një pjesë e tyre u shoqëruan nga policia në komisariat.

Një grua qëndroi disa orë në sheshin para bashkisë në shenjë proteste pavarësisht se kishte reshje shiu.
“I morën ata nënën dhe babanë e 5 fëmijëve. I morën kot, edhe mamin edhe babin. Fëmijët po rrinë atje, vetëm. Nuk folën asgjë. Tani do rrimë atje të rruga të gjithë”, thotë banorja.
Madje disa prej tyre qajnë për nënën dhe babanë që sipas banores ia kishin marrë në polici, edhe pse ajo nuk jep shumë detaje rreth asaj çfarë kishte ndodhur.

Disa ditë më parë, ata u njoftuan nga IKMT për prishjen e banesave të tyre, për shkak të zgjerimit të kanalit, por institucionet shtetërore nuk u kanë lënë kohë të përmbushet as afati ligjor prej dhjetë ditësh për të gjetur një strehë tjetër.
IKMT ka vendosur si afat të fundit për prishjet ditën e mërkurë (nesër), ndërsa banorët kërkojnë nga bashkia strehim dhe bonus qiraje, sepse nuk mund të flaken në rrugë pas 20 vitesh që jetojnë aty, ndërsa kanë qenë edhe në proces legalizimi.
Kryetarja e bashkisë Emiriana Sako njoftoi në rrjete sociale se do të vijohet me prishjen e çdo objekti që pengon zgjerimin, por edhe me pastrimin e mirëmbajtjen e kanaleve të kullimit./Versus.al

