
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka paraqitur një kërkesë të re në Gjykatën e Posaçme, ku kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg” me një masë më të lehtë, duke ofruar edhe një garanci pasurore prej 20 mijë eurosh.
Kësaj kërkese i është bashkëngjitur edhe vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë, i cili përcakton se masa më e rëndë e sigurisë, “arresti me burg”, duhet të vendoset vetëm pasi të shqyrtohen realisht alternativat e tjera dhe pasi prokuroria të justifikojë domosdoshmërinë e saj për çdo rast konkret.
Vendimi i Kolegjeve të Bashkuara ka sjellë lëvizje edhe në çështje të tjera të profilit të lartë. Pas këtij qëndrimi të Gjykatës së Lartë, lirinë e ka kërkuar edhe Erion Veliaj, ndërsa më herët ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, u lirua nga masa e arrestit shtëpiak.
Beqaj ndodhet në burg që prej 4 korrikut 2024, pas arrestimit të tij lidhur me dosjen e abuzimeve me fondet e Bashkimit Europian në SASPAC.
Sipas SPAK, Beqaj, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të SASPAC-ut, dyshohet se ka urdhëruar zhvillimin e prokurimeve fiktive gjatë viteve 2022-2023 për projektet e EUSAIR, në bashkëpunim me persona të tjerë me të cilët kishte lidhje të mëparshme biznesi. Sipas akuzës, tenderat realizoheshin vetëm në dokumente, ndërsa fondet përfundonin në mënyrë të paligjshme në përfitime personale.

