Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me padinë që aktorja Anila Bisha ka ngritur për çështjen e “ministres virtuale” Diella.
Gjatë emisionit Të Paekspozuarit, gazetarja Klodiana Lala bëri të ditur se aktorja kërkon dëmshpërblim prej 1 milion euro, duke pretenduar se zëri dhe imazhi i saj janë përdorur përtej autorizimit kontraktual.
Sipas saj, marrëveshja kishte të bënte vetëm me përdorimin e imazhit për krijimin e avatarit të asistentit virtual të platformës e-Albania, ndërsa më pas të dhënat janë përdorur pa miratimin e saj, përfshirë prezantime publike dhe ndërkombëtare nga kryeministri Edi Rama.
Nga ana tjetër, qeveria ka deklaruar se padia është një e drejtë ligjore e ushtruar nga aktorja, por e konsideron pretendimin të pabazë, duke theksuar se vendimi përfundimtar i takon gjykatës.
Ky qëndrim u shpreh nga drejtoresha e MIA-s, Manjola Hasa, në një reagim për Politico.al.
Procesi gjyqësor nisi pasi Bisha paditi Këshilli i Ministrave dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të përdorimit të Diellës. Sipas padisë, kontrata 1-vjeçare që i jepte asaj të drejtën mbi zërin dhe imazhin e avatarit ka përfunduar më 31 dhjetor 2025, ndaj vijimi i përdorimit konsiderohet i paligjshëm.
Aktorja kërkon gjithashtu që Gjykata Administrative të vendosë masë sigurimi deri në përfundim të procesit, duke argumentuar se përdorimi i vazhdueshëm i avatarit po i shkakton dëm të madh dhe të pakthyeshëm.

