Pas incidentit të ndodhur mesditën e sotme në zonën e “Ali Demit”, ku u raportua për një konflikt pranë një zyre elektorale, ka reaguar zyrtarisht Partia Socialdemokrate e Shqipërisë (PSD), duke sqaruar se ngjarja nuk ka asnjë lidhje me zyrën apo aktivitetin e saj politik.
Në një deklaratë për mediat, PSD thekson se incidenti ka ndodhur në afërsi të zyrës së tyre elektorale, por asnjë nga anëtarët apo simpatizantët e partisë nuk ka qenë i përfshirë në konflikt.
“Ngjarja e ndodhur këtë mesditë në rrugën ‘Ali Demi’ nuk ka asnjë lidhje me zyrën tonë elektorale apo me veprimtarinë politike të Partisë Socialdemokrate. Asnjë nga përfaqësuesit tanë nuk ka qenë pjesë e konfliktit të ndodhur,” thuhet në reagimin zyrtar të PSD-së.
Partia e drejtuar nga Tom Doshi ka dënuar çdo akt dhune dhe u ka bërë thirrje institucioneve kompetente që të zbardhin sa më shpejt rrethanat e ngjarjes dhe të ndëshkojnë përgjegjësit sipas ligjit.
“PSD është dhe mbetet një forcë politike që beson në garën e ndershme dhe në vlerat demokratike. Çdo akt dhune nuk përfaqëson as ne, as frymën me të cilën duam të përfaqësojmë qytetarët,” përfundon reagimi.
Ngjarja vijon të hetohet nga autoritetet për të zbardhur plotësisht motivet dhe autorët e përfshirë në konflikt.








