AKTUALITET /

Ishin nisur drejt Tiranës, 3 deputetë shqiptarë të Maqedonisë me pasaporta diplomatike ndalohen në Qafë Thanë. Reagon partia "Vlen"

Bëhet fjalë për ndalimin e koordinatorit të grupit parlamentar të VLEN-it, deputetit Bekim Qoku, deputetit Adnan Azizi dhe Hasim Murtezanin, zëvendëssekretar i përgjithshëm në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Shkruar nga Versus

Ishin nisur drejt Tiranës, 3 deputetë shqiptarë të

Tre zyrtarë nga Maqedonia e Veriut mësohet se janë ndaluar nga Policia në pikën kufitare Qafë Thanë.

Bëhet fjalë për ndalimin e koordinatorit të grupit parlamentar të VLEN-it, deputetit Bekim Qoku, deputetit Adnan Azizi dhe Hasim Murtezanin, zëvendëssekretar i përgjithshëm në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Zyrtarët e sipërpërmendur pretendojnë se ngjarja ka  ndodhur ditën e sotme në pikën kufitare Qafë Thanë, ku ata tentuan të kalojnë kufirin me pasaporta diplomatike.

Po ashtu ata janë shprehur se janë mbajtur për rreth një orë në pritje, pa marrë sqarime.

Pas një ore ndalese, një pjesëtar i policisë kufitare u ka bërë të ditur se tre prej tyre mund të vazhdojnë udhëtimin, ndërsa i katërti që po i shoqëronte ata nuk është lejuar të kalojë kufirin, pasi sipas tyre kishte probleme me pasaportën.

Në shenjë revolte, ata vendosën të kthehen, ndërsa më pas, sipas deklarimeve të tyre, u është komunikuar se kanë ndalesë hyrjeje në Shqipëri.

Pas ndalimit në pikën e kalimit kufitar në Shqipëri, deputeti shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Adnan Azizi, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale.

Lëvizja VLEN ka kërkuar sqarime zyrtare nga autoritetet shqiptare pas ndalimit të tre përfaqësuesve të saj në pikën kufitare të Qafë Thanës.

Sipas një deklarate zyrtare të VLEN-it, koordinatori i Grupit Parlamentar, Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Hasim Murtezani, janë ndaluar për rreth një orë në pikën kufitare Qafë Thanë, pa iu komunikuar një arsye zyrtare.

Në një reagim të tij, një prej deputetëve, Adnan Azizi, falënderoi të gjithë ata që i kanë shprehur mbështetje dhe tha se nuk është trembur nga asnjë pushtet.

“Në gjithë ato vite veprimi politik, nuk na ka trembur e zbrapsur asnjë pushtet e asnjë tiran. Aq më pak këta të Open Ballkanit”, shkroi Azizi.

Deputeti theksoi se Shqipëria nuk është pronë e askujt dhe se u përket të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se kush qeveris në Tiranë.

“Shqipëria nuk është pronë e askujt. Ajo është po aq e jona sa e çdo shqiptari, pavarësisht se kush qeveris në Tiranë. Pushtetet janë të përkohshme. Shqipëria është e përhershme. Shqipëria mbetet gjithmonë e shqiptarëve!”, përfundon reagimi i Azizit.

Poll