Një përleshje e dhunshme në një berberhane në zonën Centocelle të Romës ka përfunduar me gjakderdhje dhe arrestimin e një 29-vjeçari shqiptar. Ngjarja ndodhi gjatë orarit të punës, kur një debat i ashpër mes dy personave përshkallëzoi në sulm me armë të ftohtë.
Sipas autoriteteve italiane, agresori shqiptar, pa vendbanim të përhershëm dhe me precedentë penalë, ka rrëmbyer një palë gërshërë dhe ka goditur në qafë një punonjës berber indian, 24 vjeç, pas një debati për arsye ende të paqarta. Menjëherë pas ngjarjes, agresori u largua në këmbë duke lënë të plagosurin në vendngjarje.
I riu i plagosur u transportua me urgjencë drejt spitalit “Umberto I”, ku mbërriti në gjendje të vetëdijshme dhe u shtrua nën vëzhgim mjekësor. Fatmirësisht, ndonëse me plagë serioze, ai nuk rrezikon jetën.
Arrestimi në Tor Sapienza
Karabinierët e Stacionit të Centocelle, me ndihmën e forcave nga Alessandrina dhe Cinecittà, nisën menjëherë hetimet. Ata analizuan pamjet nga kamerat e sigurisë dhe dëshmitë e të pranishmëve për të rindërtuar ngjarjen dhe për të identifikuar autorin. Vetëm disa orë më vonë, falë një operacioni të shpejtë, ata gjurmuan 29-vjeçarin në një park në zonën Tor Sapienza, në rrugën Camillo Prampolini.
Pasi u identifikua dhe u konfirmua dyshimi, ai u arrestua dhe u shoqërua në komisariat. Karabinierët e kanë akuzuar për tentativë vrasjeje, ndërsa autoritetet italiane kanë theksuar se kundër tij ekzistonte edhe një urdhër arresti i mëparshëm.
I arratisur nga arresti shtëpiak
Hetimet zbuluan se shqiptari kishte qenë në arrest shtëpiak në Guidonia, por ishte arratisur. Ai kërkohej nga autoritetet italiane që nga 18 prilli, pasi ndaj tij rëndonin edhe akuza për trafik droge, falsifikim dokumentesh dhe rezistencë ndaj policisë.
Pas arrestimit të fundit, shqiptari është dërguar në burgun e Rebibbias, ku do të përballet me drejtësinë për një tjetër vepër të rëndë penale, që e rrezikon me dënim të gjatë. /Versus.al/







