
Leonard Nikolli, 61 vjeç, është shoqëruar në Komisariatin nr. 3 në Tiranë pas një incidenti në zyrat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Tiranë, ku ka kërcënuar me jetë drejtuesin e institucionit, Klajdi Meçi.
Sipas kallëzimit të bërë nga vetë Meçi, Nikolli ka hyrë në institucion duke deklaruar se ishte i armatosur dhe kërcënoi se do ta vriste: “Jam i armatosur, ku është drejtori se do e vras?!”
Ai gjithashtu u shpreh se do të vepronte si me gjyqtarin Astrit Kalaja.
Incidenti lidhet me një ndërtim që Nikolli pretendonte se duhej të prishej, por IMT Tiranë nuk kishte ndërhyrë. Objekti në fjalë ka një vendim gjykate që pengon ndërhyrjen, pavarësisht pretendimeve të Nikollit apo palëve të tjera.
Policia po vijon hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe Nikolli pritet të arrestohet në vijim.







