“Vetëm dy minuta nga qendra e Tiranës”. Kjo është reklama që shpërndan kompania “Am&Zo” në rrjete sociale, për projektin e quajtur “Mara Palace”.
Kompleksi rezidencial pritet të jetë një ndërtesë me 16 kate mbi tokë dhe tre kate parkim nën tokë. Gjendet në zonën e “Shkollës së Kuqe”, realisht shumë pranë qendrës së kryeqytetit.

Në 26 Shtator 2025, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, nën drejtimin e ministrit Blendi Gonxhja, miratoi Raportin e Vlerësimit të Potencialit Arkeologjik për projektin “Mara Palace, zhvillimi i një objekti me funksion rezidencial dhe shërbime”, në njësinë Administrative nr. 8, Tiranë, me subjekt zhvilluar “Am&Zo”, shpk.
Kompania zhvilluese është krijuar në vitin 2023. Ajo është në pronësi të Rei Xhakolli dhe Orges Çunge, të dy familjarë të ngushtë të kryetari të Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli.

Rei është djali i tij, ndërsa Çune është dhëndri (bashkëshorti i vajës) së kryebashkiakut të qytetit liqenor.
Nga tenderat, tek kullat
Ilir Xhakolli ka nisur aktivitetin e tij profesional si pjesë e administratës doganore gjatë mandateve qeverisë të socialistëve, deri në vitin 2005. Përgjatë periudhës në opozitë, Ilir Xhakolli u aktivizua në veprimtari private. Në vitin 2013 ai mori mandatin e deputetit të Partisë Socialiste, të cilin e konfirmoi edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.
Në vitin 2019, Ilir Xhakolli dorëzoi mandatin e deputetit, pasi u zgjodh kryetar i Bashkisë së Pogradecit, të cilin e vazhdon edhe aktualisht.
Në vitin 2018, djali i tij, Rei Xhakolli, në atë kohë vetëm 23 vjeç, punësohet si përgjegjës për tenderat pranë Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara. Një vit më pas, Rei emërohet specialist pranë ndërmarrjes shtetërore të gazit, “Albgaz”, detyrë që e mban deri në vitin 2023.

Paralelisht, Rei Xhakolli zhvillon edhe aktivitet tregtar. Në vitin 2019, sapo ishte shkëputur nga Agjencia qendrore e tenderave, ai krijon shoqërinë “Rei & co”, me aktivitet kryesor zyrë doganore, por edhe hapjen e bizneseve si bar-kafe, import-eksport mallrash të ndryshme, e të tjerë.
Në vitin 2023, Rei, tashmë 28 vjeç, krijon shoqërinë e ndërtimit “Am&Zo”, së bashku me kunatin e tij, Orges Çunge.
Pas vistos që mori nga Komiteti i Gonxhes, me shumë mundësi, projekti “Mara Palace” do të marrë së shpejti edhe miratimin nga Këshilli Kombëtar i Territorit, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.
Leje për “Tarracat e Farkës”
Rama nuk e ka për herë të parë që “ftohet” për të miratuar leje ndërtimi për kompaninë e familjes së kryebashkiakut Ilir Xhakolli.
Në shkurt të vitit 2025, Këshilli Kombëtar i Territorit kishte në rend dite pikën “Leje Zhvillimi për objektin: “Tarracat e Farkës”, me vendndodhje në Farkë, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Am&Zo” sh.p.k.

“Boldnews.al” kreu një verifikim në faqen e internetit të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), por nuk e gjeti të zbardhur këtë vendim, i shqyrtuar rreth 7 muaj më parë.
Gjithësesi, në praktikën e AZHT-së, vendimet për refuzimin e aplikimeve publikohen shumë shpejt. Ndërkohë, vendimet e miratimit të lejeve kërkojnë një periudhë kohore për t’u zbardhur. Nisur nga kjo praktikë, duket se “Tarracat e Farkës” të Rei Xhakollit, duhet të kenë marrë aprovimin e kryeministrit Edi Rama dhe pritet vetëm zbardhja e saj./Boldnews.al