
Bllokimi i monopatinave apo skuterave elektrikë duke nisur nga dita e hënë ka shkaktuar mjaft probleme për një numër të madh qytetarësh të cilët e përdorin si mjet transporti për të shkuar në punë apo aktivitete të tjera.
Sot një grup qytetarësh në Tiranë kanë zhvilluar një protest para policisë ku kanë bërë thirrje që të ketë një bazë të rregullt ligjore mbi ndalimin e përdorimit të skuterit, duke e konsideruar “të mbrapshtë” vendimin e papritur për ndalimin total të monopatinave dhe sekuestrimin e tyre.
Një qytetare e cila protestonte u shpreh se për të shkuar në punë me urban, i duhet që një stacion ta përshkrojë për 15 minuta dhe theksoi se ministrja e Brendshme, Albana Koçiu nuk mund të japë vendime të tilla të papritura pa menduar dëmin që shkaktohet.
“Si mundet ministrja nëpërmjet një deklarate në facebookun e saj të ndërpresë punën e disa bizneseve që merren me riparimet apo shitjet e skuterave. Si mundet të presë një biznes 1 muaj apo 3 muaj deri në live-n tjetër të ministres për të vazhduar punën evetë. Kemi disa gjëra që nuk kanë asnjë argument logjik apo bazë ligjore. Problem i përdorimit të skuterave edhe nga të miturit pa kokore, ka qenë problem edhe për mua. Por unë pres që shteti të ketë një bazë ligjore. Nuk mund të më konfiskohet mua skuteri me një ligj të vitit 2000 kur skuteri ende nuk ekzistonte. Nuk ka siguri në rrugë as nga makinat me targa të verdha të cilave nuk u vendos dot gjobë, apo për ato makinat me 100 km/orë. Po çdo bëjmë, do i bllokojmë të gjitha? Për të bërë një stacion autobuzi na duhen 15 minuta minimumi. Duhet të gjendet një zgjidhje tjetër”- u shpreh qytetarja.
Ndërkohë për mediat foli edhe një qytetar i cili prej 8 vitesh ka një biznes që funksionon me veprimtari rregullimin dhe shitjen e skuterave dhe monopatinave. Ai tha se lajmi i kishte ardhur si “bombë” teksa drekonte me familjen e tij ditën e dielë.
“Pavarësisht se duket diçka e vogël për ne është dicka e madhe. Unë jam përfaqësues biznesi që duke drekuar rastësisht me familjen të dielën, mora vesh falimentin tim. Çdo sipërmarrës e ka konceptin e falimentit, por të gjithë mendojnë se vjen gradualisht kur bën ndonjë gabim. Ky bllokim Ii skuterave na ka bllokuar totalisht, na ka rrëzuar jo vetëm financiarisht, por edhe moralisht sepse nuk ka kuptim të nisësh një biznes në mëngjes me frikën sesa do të zgjasë. Kjo rregullore e re nuk ka afat të caktuar. Do doja shumë që ministrja të ishte shumë më e qartë mbi datat dhe grupin e punës. Unë e drejtoj këtë biznes prej 8 vitesh, do doja që edhe ne të ishim të përfshirë në këtë grup pune për rregulloren e re sepse ne e prekim terrenin çdo ditë”- tha i riu protestues.
Të hënën gjatë nisjes së zbatimit të urdhrit të ministres Koçiu, efektivët e policisë hasën në kundërshtimin e qytetarëve të cilët pretendonin se nuk kishin sesi të shkonin në punë pasi trafiku i madh ua vështirësonte mbërritjen në kohë. Koçiu tha se ndalimi i monopatinave do të zgjasë për një afat të pacaktuar derisa të gjendjet një rregullore për qarkullimin e tyre në rrugë. Versus.al