Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, njoftoi dje se duke nisur nga e hëna (sot), do të ndalohet përkohësisht qarkullimi i monopatinave në rrugë. Ajo tha se qytetarët kanë shprehur shpesh shqetësim për këto mjete elektrike dhe se po punohet për hartimin e rregullave strikte për përdorimin e tyre.
Duke u bërë thirrje bizneseve të mos investojnë më në këtë aktivitet, Koçiu tha se përdorimi i monopatinave elektrike do të bëhet vetëm për nevoja personale dhe jo biznesi.
Gjithashtu edhe drejtori i Përgjitshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda u shpreh se monopatinat janë shpesh burime aksidenti në rrugë duke qenë se përdoren pa kriter moshe e pa patur kaskë mbrojtëse.
Versus.al prej muajsh e kishte ngritur problemin e monopatinave elektrike të cilat bëheshin shpesh burime aksidenti në qytete të ndryshme të vendit.
Por u desh një ngjarje e rëndë në Tiranë ku automjeti përplasi 3 të mitur që lëviznin me monopatinë që të kishte reagim nga ana e organeve shtetërore. Madje edhe bizneset që i tregtojnë këto mjete elektrike, nuk mbanin përgjegjësi mbi moshat që i përdornin duke u mjaftuar thjesht me dhënien me qira të tyre.
Sipas të dhënave të siguruara nga Spitali Universitar i Traumës, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 694 raste të personave të lënduar nga aksidentet me monopatina elektrike. Brenda 5 muajve të parë të 2025-ës, janë regjistruar mbi 200 raste të aksidenteve të shkaktuara nga këto monopatina. Versus.al







