Brenda labirinthit të zhurmshëm të kolonave që mbajnë në këmbë një pallat përballë Bankës së Shqipërisë, paraja është mbret.
Zona në zemër të Tiranës njihet në memorien kolektive si “Dollari” dhe përfaqëson bursën informale të kambizmit gjatë viteve të gjata të tranzicionit. Në hapësirën e ngushtë gjenden disa pika Exchange ngjitur me njëra-tjetrën dhe jashtë tyre, dhjetra burra mbajnë topa me para ndër duar.
Bizneset e këmbimit valutor vështirë se dallojnë nga njëri-tjetri; ato kanë sportele të ngjashme për klientët dhe reklamojnë në ngjyra të ndezura simbolet e Euros, Dollarit apo paundit britanik.
Por përtej fasadës, njëri prej tyre funksiononte si një kanal i fshehtë i qarkullimit të miliona eurove të paligjshme për llogari të njërit prej grupeve më të fuqishme shqiptare të narkotrafikut ndërkombëtar.
Pika e këmbimit valutor “B.Lika, Cimi &Keni” kryente, sipas Prokurorisë së Posaçme, rolin e një banke informale për organizatën e drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja – të akuzuar për një serial të përgjakshëm ekzekutimesh në Shqipëri dhe trafikimin e tonelatave me kokainë nga Amerika Jugore drejt vendeve të Bashkimit Europian përgjatë viteve 2018-2022.
Dokumentet hetimore sugjerojnë se brenda pikës së ngushtë të kambizmit ruheshin depozita të parave të krimit, të cilat u shpërndaheshin në këste më të vogla anëtarëve të grupit ose transferoheshin përmes skemave të komplikuara mijëra kilometra larg Shqipërisë, për të garantuar pagesat e kokainës.
Prokurori i SPAK, Klodian Braho i tha BIRN se gjatë hetimeve 2-vjeçare kishin dokumentuar transferimin e vlerave të mëdha të parave përmes sistemit Hawala apo transaksioneve me kriptovaluta.
“Është provuar nga hetimet se personat e përfshirë në këtë veprimtari kanë transferuar para për llogari të organizatës kriminale në disa vende të Evropës, në Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe në vendet e Amerikës Qendore dhe Amerikës Jugore,” tha ai.
Pika e këmbimit valutor “B.Lika, Cimi &Keni” është në pronësinë e Bashkim Likës, 55 vjeç dhe Maklen Micit, 45 vjeç – të dy të arrestuar në gusht të vitit të kaluar për veprën penale të pastrimit të parave, kryer në bashkëpunim në formën e organizatës kriminale.
Por ajo nuk është e vetmja.
Transformimi i grupeve shqiptare të krimit të organizuar në sipërmarrje me shtrirje globale duket se ka krijuar një terren pjellor për ngritjen e sistemeve paralele të qarkullimit të shpejtë të parave, jashtë kanaleve të gjurmueshme zyrtare.
Institucionet ligjzbatuese besojnë se pjesë e këtij mekanizmi janë edhe biznese të caktuara të këmbimit valutor apo agjencitë e transfertave të parave, të cilat po funksionojnë si struktura më vete në funksion të grupeve kriminale për të maksimizuar fitimet e tyre.
Ndërsa përmasat e këtij fenomeni janë ende të paqarta, ekspertët e ekonomisë besojnë se rrjetet kriminale po shfrytëzojnë boshllëqet ligjore dhe mekanizmat e dobët të monitorimit dhe mbikëqyrjes në tregun e këmbimit valutor.
“Inspektimet e Bankës së Shqipërisë dhe autoriteteve tatimore shpesh kryhen në mënyrë formale… pa analizuar në thellësi origjinën e fondeve ose modelet e transaksioneve,” tha Eduart Gjokutaj, një konsulent i ekonomisë dhe drejtues i qendrës “Altax”.
“Në këtë kontekst, aktorët kriminalë kanë shfrytëzuar hapësirat ligjore, duke regjistruar pikat në emër të të afërmve ose përdorur llogari të ndara për të fshehur transaksionet, duke shmangur kontrollin e drejtpërdrejtë,” shtoi ai.
Avokati i të akuzuarve, Ardian Visha i tha BIRN se dyshimet e ngritura ndaj Bashkim Likës janë inekzistente, ndërsa ato ndaj Maklen Micit janë ngritur vetëm mbi bazën e komumikimeve në aplikacionin SKY ECC, pa u mbështetur në prova të tjera. Visha i quan akuzat për pjesmarrje në organizatë kriminale si absurde.
“Dyshimi i Prokurorisë së Posaçme është i mbështetur në hamendësime që burojnë nga të dhënat e përftuara nga burime të paligjshme të kërkimit të provës. Për më tepër, këto të dhëna nuk jepen në versionin autentik të tyre, por si përzgjedhje e selektuar dhe e komentuar nga autoriteti procedues,” tha avokati, duke pretenduar se mes Micit dhe Çopjes ka njëherazi mungesë të raportit njerëzor si dhe të bashkëpunimit kriminal.
Probleme sistemike
Në dhjetëvjeçarin e fundit, numri i zyrave të këmbimit valutor pothuajse është dyfishuar në Shqipëri; nga 356 biznese të licensuara në vitin 2014 në 640 të tilla në fund të vitit 2024.
Por ky është një treg me luhatje të mëdha, pasi sipas Bankës së Shqipërisë, çdo vit ndërpresin aktivitetin me dhjetra biznese dhe po kaq operatorë të rinj shfaqen në horizont.
Tregu duket se ka gjithashtu probleme të mëdha.
Nga 166 inspektime të kryera nga Banka e Shqipërisë në tre vitet e fundit, janë revokuar 132 licensa, janë marrë masa administrative ndaj 46 bizneseve dhe u është tërhequr vëmendje 18 të tjerave.
Edhe pse pikat e këmbimit valutor janë subjekte të ligjit për “Parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”, sipas së cilit duhet të identifikojnë çdo person që kryen transferta mbi 100 mijë lekë dhe të raportojnë çdo transaksion mbi 1 milion lekë, këto detyrime shpeshherë anashkalohen.
Banka e Shqipërisë i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se inspektimet kanë identifikuar si shkelje kryesore mungesën e raportimeve, mosrespektimin e procedurave dhe mangësi në ruajtjen e dokumentacionit mbështetës për këmbimet valutore.
Inspektimet kanë zbuluar gjithashtu mungesën e një sistemi të centralizuar për analizimin dhe identifikimin e parregullsive si dhe mungesë dokumentimi të rasteve të dyshimta.
Edhe Agjencia e Inteligjencës Financiare, një institucion në varësi të Ministrisë së Financave dhe autoritet përgjegjës për zbatimin e ligjit “Për parandalimin e pastrimit të parave…,” i konsideron bizneset e këmbimit të valutave si aktivitete me risk.
Megjithatë, Agjencia i tha BIRN në përgjigje të një kërkese për informacion se raportimet ndaj tyre ishin sporadike.
Duke iu referuar raportimeve nga bankat apo noterët, Agjencia tha se dyshimet kryesore lidhen me transaksionet e kryera në cash, mungesën e dokumenteve justifikuese si dhe përfshirjen e aksionerëve të pikave të këmbimit valutor në investime biznesi apo në pasuri të paluajtshme për llogari të persove të dyshuar.
Referimet drejt Prokurorisë janë gjithsesi të papërfillshme.
Agjencia e Inteligjencës Financiare i tha BIRN se gjatë vitit 2024 kishte referuar vetëm 1 rast në institucionet ligjzbatuese, i cili kishte si tipologji tërheqjen në cash të shumave të larta që nuk dihet se ku kishin përfunduar nga llogari të personave nën hetim.
Nga Hawala te kriptovalutat
Në gusht të vitit 2020, një emisar i Franc Çopjes ngatërroi fillimisht adresë, ndërsa po kërkonte Exchange-in në pronësi të Bashkim Likës dhe Maklen Micit në vendin e njohur si “Dollari”.
Tre burra u vunë në lëvizje dhe shkëmbyen detaje dhe fotografi përmes aplikacionit SKY ECC, për ta orientuar atë drejt pikës së duhur, ku do të tërhiqte më pas 215, 500 Euro të ndara në katër këste.
Mesazhet e shkëmbyera në SKY ECC ranë në duart e Prokurorisë së Posaçme tre vjet më vonë, duke bërë të mundur një zbulim domethënës për evolucionin e krimit të organizuar shqiptar.
Hetimet dokumentuan ekzistencën e një grupi personash që e përdornin biznesin e këmbimit valutor si kamuflim, ndërsa kryenin në të vërtetë operacione të qarkullimit të shpejtë të parave për llogari të grupit Çopja.
Prokuroria beson se Lika dhe Mici e kryenin këtë shërbim përmes sistemit Hawala dhe transaksioneve në kriptovaluta.
Hawala është një sistem informal i përdorur që prej shekullit të 8-të në Indi dhe në vendet e botës arabe për transferimin e parave nga njëri shtet në tjetrin, pa qenë nevoja që paratë të zhvendosen fizikisht.
Skema funksionin mbi marrëdhënien e besimit dhe përfshin një rrjet agjentësh në shtete të ndryshme, të cilët pranojnë dhe shpërndajnë depozita për llogari të njëri-tjetrit. Nëse paratë dorëzohen fjala vjen në Londër, një person mund t’i tërheqë ato brenda pak orësh tek një agjent i dytë në Tiranë duke paraqitur një kod unik – i njohur si Token – ndërkohë që agjenti në Londër dhe ai në Tiranë rakordojnë librat e llogarive.
Përveç metodave arkaike të transfertave të parave, nga pika e këmbimit valutor “B.Lika, Cimi &Keni” dyshohet se janë transferuar gjithashtu miliona dollarë përmes monedhave virtuale. Gjatë hetimeve të grupit Çopja, prokurorët gjurmuan dhe sekuestruan kriptovaluta në vlerën e 11.5 milionë dollarëve.
Pas arrestimit të Likës dhe Micit në gusht të vitit 2024, Prokuroria e Posaçme zbuloi një grup të dytë të ngjashëm në korrik të vitit 2025, i cili akuzohet se mundësoi transferimin e vlerave të konsiderueshme me burim nga trafiku i drogës mes Zvicrës dhe Shqipërisë.
I akuzuari kryesor në këtë dosje, Ervis Ferizaj, 47 vjeç u arrestua në shtator të vitit 2024 në Lucernë të Zvicrës me akuzën e trafikimit të narkotikëve, pastrimit të parave dhe grupit të strukturuar kriminal. Ferizaj ishte i paarritshëm për koment.
Në Tiranë, Ferizaj dyshohet se kontrollonte dy pika të këmbimit valutor në pronësinë e babait dhe bashkëshortes së tij, për të kamufluar transferimin e parave të paligjshme nga Zvicra drejt Shqipërisë.
Sipas të dhënave të dërguara nga Prokuroria Federale e Zvicrës, paratë qarkullonin gjithashtu sipas sistemit Hawala për llogari të personave të tjerë.
“…shtetasi Ervis Ferizaj dhe bashkëpunëtorët e tij, në Zvicër dhe në Shqipëri, kanë ruajtur dhe kanë menaxhuar paratë që vijnë nga aktivitetet kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, kanë siguruar para në dorë si pjesë e një sistemi “hawala” me qëllim transferimin e parave te persona të tjerë,” thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Sipas prokurorit Klodian Braho, personat e përfshirë në sistemet informale të transfertave të parave ndajnë një interes të përbashkët me grupet kriminale; atë të sigurimit të fitimeve të shpejta. Këto rrjete përfitojnë komisione në përqindje si për transfertat në cash përmes sistemit Hawala, ashtu edhe për transaksionet në kriptovaluta.
Sipas Brahos, një agjent përfiton nga 6 deri në 15 për qind të vlerës totale që transferon në para fizike përmes sistemit Hawala, ndërkohë që komisionet e transaksioneve në kriptovaluta variojnë nga 0.5 deri në 2 për qind të vlerës totale.
Në çdo rast, këto rrjete ofrojnë si avantazh për grupet kriminale shmangien e gjurmimit të parave përmes aktiviteteve të tyre formale.
“Ky sistem informal mundëson transferimin e parave në një kohë të shpejtë dhe njëkohësisht shmang raportimin dhe kontrollin e origjinës së parave, pasi agjentët nuk zbatojnë dispozitat ligjore dhe nënligjore për regjistrimin dhe identifikimin e personave dërgues dhe marrës, nuk zbatojnë dispozitat ligjore për verifikimin e burimit të ligjshëm të parave që transferohen dhe për shumat tavane të transferta,” tha Braho për BIRN.
Biznese me risk
Përveç infrastrukturave financiare që operojnë në hije, grupet kriminale shqiptare vlerësohet se kanë shfrytëzuar edhe faktorë të tjerë ekonomikë dhe socialë që lidhen kryesisht me periudhën që shoqëroi pandeminë e COVID-19.
Sipas Gjokutajt nga Altax, pas pandemisë shumë aktivitete ekonomike u zhvendosën në informalitet, duke rritur ndjeshëm përdorimin e valutës së huaj dhe kriptomonedhave për transaksione të padokumentuara.
“Një tjetër faktor ishte rritja e kërkesës për para cash dhe kanale alternative për transferim parash, që ka lehtësuar operimin e sistemeve ilegale si Hawala,” tha Gjokutaj.
“Ndërkohë, mekanizmat ligjorë dhe kontrollet e Bankës së Shqipërisë nuk u adaptuan në kohë me ndryshimet e tregut, ndërsa shtimi i pikave të këmbimit nuk u shoqërua me monitorim të shtuar,” theksoi ai.
Gjokutaj vlerëson gjithashtu se me rritjen e transaksioneve virtuale, menaxhimi i tregut të këmbimit valutor është bërë shumëfish më i ndërlikuar.
“Mungesa e kapaciteteve teknologjike për të monitoruar lidhjet midis valutës virtuale dhe transaksioneve cash dhe rreziqet që para të pista të integrohen në ekonominë formale përbëjnë një sfidë të vazhdueshme për autoritetet mbikqyrëse,” theksoi ai.
Edhe institucionet e zbatimit të ligjit apelojnë për vigjilencë të shtuar ndaj këtyre bizneseve, si nga autoritetet e mbikëqyrjes administrative, ashtu edhe nga ato të hetimit.
“Në vlerësimin tonë, aktivitetet e këmbimit valutor dhe të transfertave të parave duhet që të vlerësohen si aktivitete që janë me risk të lartë për përfshirjen e tyre në transferimin informal të parave, që mundet të kenë origjinë kriminale…,” tha prokurori Klodian Braho.
Në përgjigje të këtyre shqetësimeve, Banka e Shqipërisë deklaroi se është në procesin e miratimit të një rregulloreje të re për pikat e këmbimit valutor, që parashikon sipas saj verifikimin e origjinës së kapitalit dhe reputacionin e aksionerëve, por edhe kufizimin e vlerave që mund të mbahen cash apo t’u nënshtrohen transaksioneve.
“Këto ndryshime lidhen me aspektet e parandalimit tё pastrimit tё parave dhe financimit të terrorizmit, por edhe me nevojën e forcimit të rregullave të hyrjes në treg të subjekteve që janë financiarisht të qëndrueshëm dhe me integritet,” deklaroi Banka e Shqipërisë./BIRN