Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e GJKKO për dënimin e Bashkim Dedjas, ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese i cili u dënua me 12 muaj shërbim prove për fshehje të pasurisë. Dosja e tij tashmë është kthyer për rigjykim.
Prokuroria e Posaçme pati kërkuar dënimin e tij me një vit burg lidhur me akuzën për veprën penale për të cilën dyshohej, por GJKKO vendosi 6 muaj burg që iu konvertuan një vit shërbim prove.
Sipas SPAK, Dedja fshehu disa prej pasurive të tij në formularin e vetëdeklarimit, ndërsa u bë gjyqtari i parë që dënohej nga GJKKO pasi nuk kaloi Vettingun duke qenë se u rrëzua në Apelin e Posaçëm.
Ish-kryetari i Kushtetueses u shkarkua nga Vettingu për mosjustifikim të pasurive, ndërsa në prill të vitit 2021, gjykata vendosi sekuestrimin e pasurive të tij, mes të cilave një apartament në Golem. Versus.al