Elvis Shkambi, 30 vjeçari i arrestuar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit më 6 tetor, ka dhënë edhe detaje të tjera rreth ngjarjes së rëndë që tronditi vendin.
Mësohet se gjatë dëshmisë së tij, Shkambi ka deklaruar se nuk i kishte qëlluar të gjitha plumbat që kishte në pistoletë, pasi në atë moment ishte kthjelluar mbi atë çfarë po bënte.
“Vazhdova të qëlloja sërish. Nuk i kam harxhuar të gjitha plumbat, më kishin mbetur edhe 3 plumba të tjerë. Në momentin që po qëlloja, kuptova atë çfarë po bëja, aty ndalova së qëlluari dhe shkova dorëzova pistoletën te roja e sigurisë, dola jashtë dhe prita të vinte policia që të dorëzohesha”, u shpreh Shkambi sipas Inside Story.
Por ajo çfarë shkaktoi më shumë tronditje dhe që u pasqyruar edhe më herët nga Versus.al është fakti se Shkambi kishte hyrë edhe herë të tjera me pistoletë nëpër gjykata.
“Pistoletën e mbaj prej kohësh. E mbaj sepse ashtu kam disa punë të mijat. Unë kam hyrë edhe herë të tjera në ambientet e gjykatës i armatosur, kjo nuk është hera e parë. Në shumicën e rasteve e kam pasur armën me vete”, tha Shkambi në dëshminë e tij. Versus.al







