Çfarë do të gjeni në brendësi
*Një ngjarje e rëndë ka tronditur këtë pasdite Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja është qëlluar me armë zjarri brenda sallës së gjyqit, duke humbur jetën. *Sipas informacioneve paraprake, një person i armatosur ka arritur të hyjë në ambientet e gjykatës dhe ka hapur zjarr ndaj gjyqtarit, ndërsa dy persona të tjerë, babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, kanë mbetur të plagosur. *Ngjarja ka ndodhur gjatë një seance për një çështje administrative, që lidhej me kundërshtimin e veprimeve përmbarimore. *Gjyqtari Kalaja është dërguar me urgjencë në spital, por ka mbërritur pa shenja jete. *Të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa një prej tyre ka kaluar në ndërhyrje kirurgjikale. *Burime për media bëjnë me dije se autori i dyshuar, Gjon Shkëmbi, është arrestuar në vendngjarje dhe arma e krimit është sekuestruar nga policia. *Sipas policisë autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja është 30 vjeçari Elvis Shkambi i biri i Gjon Shkambit për të cilën dhe u aludua më herët në media.
Gjyqtari u vr* në krye të detyrës, Gjykata e Apelit: Ngjarje që imponon reflektim të thellë

Gjykata e Apelit ka reaguar pas tragjedisë së ndodhur sot brenda sallës së gjyqit në Tiranë ku menjëherë pasi dha vendimin, gjyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua me armë zjarri. Në reagim thuhet se asnjë shprehje urrejtje apo akti që nxit dhunë ndaj gjyqtarëve nuk duhet të tolerohet.
Ndërsa u bëhet thirrje autoriteteve që të marrin masa në mënyrë që masakra të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen.
Reagimi i plotë:
Sot gjyqtari Astrit Kalaja u vra në sallën e gjykimit.
Kjo ngjarje e rëndë është një goditje jo vetëm për komunitetin e drejtësisë, por për të gjithë shoqërinë tonë.
Në emër të kolegëve gjyqtarë dhe të gjithë trupës gjyqësore, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen e kolegut të ndjerë dhe për të gjithë ata që ndjejnë dhimbjen e kësaj humbjeje të rëndë. Zemrat tona janë me ta në këtë moment të dhimbshëm dhe solidariteti ynë është i plotë.
Kjo ngjarje tragjike imponon reflektim të thellë mbi nevojën për të forcuar masat e sigurisë në ambientet gjyqësore, duke garantuar mbrojtjen e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, palëve dhe çdo qytetari që hyn në sallat e drejtësisë. Siguria është parakusht i pandashëm për ushtrimin e pavarur dhe të paanshëm të detyrës gjyqësore. Kërkojmë që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa të menjëhershme për rritjen e nivelit të sigurisë dhe për parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
Po aq e rëndësishme është ndalimi i gjuhës së urrejtjes, denigrimit dhe kërcënimit ndaj gjyqtarëve dhe sistemit të drejtësisë. Asnjë shprehje armiqësie, asnjë fjalë që nxit dhunë apo paragjykim ndaj personave që përmbushin detyrën e tyre nuk duhet të tolerohet. Gjuha e urrejtjes nuk është shprehje lirie, por një mjet që ushqen intolerancën dhe dëmton besimin e qytetarëve te drejtësia. Është detyrë e çdo institucioni, politikani, media e çdo përfaqësuesi publik dhe qytetari të ruajë gjuhën e respektit dhe të dialogut.
Njëkohësisht, bëjmë apel për reflektim shoqëror, për unitet dhe për respekt ndaj drejtësisë si themel i rendit demokratik.
Në këtë moment të errët, ne gjyqtarët mbetemi të palëkundur në vendosmërinë tonë për të zbatuar ligjin me integritet dhe kurajë. Drejtësia nuk do të trembet. Ne do të vazhdojmë të shërbejmë me dinjitet, paanshmëri dhe besim të plotë se e vërteta dhe ligji janë mburoja më e fortë ndaj çdo akti dhune apo urrejtjeje.
Bashkë në dhimbje, por edhe më të bashkuar se kurrë në përkushtimin tonë për drejtësi.
Trupa gjyqësore e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Versus.al
VIDEO/ Sot djali i tij vr*u gjyqtarin, çfarë deklaronte Gjon Shkambi 2 vite më parë për pronën
Gjyqi për pronën është bërë shkaku i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja nga i riu Elvis Shkambi ditën e sotme në gjykatën e Apelit në Tiranë. Dy vite më parë babai i tij, Gjon Shkambi fliste për mediat duke u bërë me dije se zotëronte të gjitha dokumentet e nevojshme për pronën dhe ende nuk ishte vënë në zbatim urdhri i gjykatës që prona të lirohej nga zaptuesit.
“Kam akt marrëveshje, akt dhurimi, akt pronësie të gjitha i kam me doklumentacion të rregullt. Mund t'I coni në prokurori e gjykatë e ku të doni se i kanë çuar edhe këta dhe u janë shprehur institucionet e drejtësisë”- shprehej Gjon Shkambi disa muaj më parë.
Sot i biri raportohet se pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja u shpreh: Po humbisja gjyqin për pronën prandaj e bëra. Versus.al
Kushtetuesja nuk e shqyrtoi, Versus.al siguron vendimin për pronën e vr*sësit të gjyqtarit! Gjykata e Shkodrës i kishte dhënë të drejtë
Elvis Shkambi, 30 vjeç, ndërmori sot aktin ekstrem brenda gjykatës së Apelit të Tiranës duke ekzekutuar me armë zjarri gjyqtarin Astrit Kalaja dhe duke lënë të plagosur babë e bir, palë tjetër në proces Rakip dhe Ervis Kurtaj.
Versus.al ka siguruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e bërë nga Gjon Shkambi, babai i autorit sa i takon zaptimit të pronës e cila sipas tij ishte zënë nga persona të paligjshëm. Sipas dosjes së padisë në kushtetuese, thuhet se gjykata e Shkodrës i kishte dhënë të drejtë Gjon Shkambit për pronën duke qenë se kishte vendimin e komisionit të kthimit të pronave.
Shkambi ka pretenduar se drejtoria e policisë së Shkodrës kishte refuzuar të mbështese zyrën përmbarimore. Ndërsa në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë kërkesëpadi thuhet se çështja nuk kalon për shqyrtim me argumentin se denoncuesi Gjon Shkambi nuk i kishte shteruar mjetet juridike dhe se duhej t|u drejtohej gjykatave të zakonshme për këtë çështje.
“Në këndvështrim të këtyre parashikimeve ligjore, në rastin konkret, Kolegji vlerëson se Gjykata nuk mund të investohet për shqyrtimin e kërkesës së kërkuesit për konstatimin e cenimit të së drejtës për ekzekutimin e vendimit gjyqësor të formës së prerës, pasi legjislacioni i brendshëm parashikon mjete juridike që i ofrojnë rezultate konkrete për rivendosjen e kësaj të drejte kushtetuese. Për rrjedhojë, ai duhet t’u drejtohet gjykatave të zakonshme, në përputhje me parashikimet e KPC-së, dhe vetëm pasi të ketë shteruar garancitë e mbrojtjes që i ofrohen nga juridiksioni I zakonshëm gjyqësor, mund të vërë në lëvizje gjykimin kushtetues”- thuhet në Vendimin nr. 295 të Kushtetueses të marrë më datë 03.12.2024
Pjesë nga padia në Kushtetuese e cila u shqyrtua nga: Kryetarja Holta Zaçaj dhe anëtaret: Marsida Xhaferllari,Marjana Semini:
1. Kërkuesi parashtron se është pronar i një sipërfaqeje të fituar me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (KKKP). Sipas tij, kjo sipërfaqe ka qenë pjesërisht e zënë me objekte, si dhe pjesërisht e lirë dhe në lidhje me të, bazuar në parashikimet ligjore në fuqi, ka ushtruar pa pengesë të drejtën e parablerjes.
Në kushtet kur vendimi i KKKP-së kishte pasaktësi, kërkuesi i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër me kërkesëpadi për saktësimin e tij. Me vendimin nr. 119, datë 11.02.2002, kjo gjykatë ka vendosur pranimin e kërkesëpadisë, duke saktësuar vendimin e KKKP-së. Në vijim, me vendimin nr. 20, datë 28.06.2010, Gjykata e Apelit Shkodër ka vendosur lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
3. Në kushtet kur objekti në sipërfaqen e pronës së kërkuesit, konkretisht ish-Shkolla e Rezervave, Shkodër, ishte zënë nga posedues të paligjshëm, ai u është drejtuar disa zyrave përmbarimore për ekzekutimin e vendimit gjyqësor. Bazuar në kërkesën e kërkuesit dhe vendimin e Gjykatës së Apelit Shkodër, me shkresën nr. 116 dkp., regj. 2158, datë 13.10.2022, Zyra e Përmbarimit Shkodër u është drejtuar 32 individëve, të cilët qëndronin forcërisht dhe në kundërshtim me ligjin në pasurinë e kërkuesit, për lirimin e banesave dhe ekzekutimin vullnetar të titullit ekzekutiv, ndërsa me shkresën nr. 116 dkp., regj. 2616, datë 31.10.2022, zyra e përmbarimit ka vendosur fillimin e ekzekutimit të detyrueshëm të këtij titulli.
4. Veprimet e zyrës përmbarimore janë kundërshtuar gjyqësisht nga shtetasit Gj.S., N.P., N.N. dhe M.C., të cilët në datën 21.10.2022 i janë drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor
Shkodër me kërkesëpadi, duke kërkuar edhe pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv. Në lidhje me tre të parët, me vendimin nr. 784 (4921), datë 24.11.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka vendosur rrëzimin e kërkesëpadisë, duke vlerësuar se ajo ishte paraqitur jashtë afatit 5-ditor të parashikuar nga neni 610, paragrafi i parë, i Kodit të Procedurës Civile (KPC). Po sipas gjykatës, pretendimet e paditësve se bëhej fjalë për gjë të gjykuar ishin të pabazuara, pasi vendimet për të cilat ata pretendonin cenim të këtij parimi ishin shfuqizuar. Nga ana tjetër, pretendimet se nuk kishin qenë palë në gjykimet e mëparshme të zhvilluara në lidhje me pasurinë ishin të pabazuara, pasi prona posedohej prej tyre në mënyrë të kundërligjshme.
Ndërsa në lidhje me kërkesëpadinë e shtetasit M.C., me vendimin nr. 1669 (1545), datë 31.03.2023, kjo gjykatë ka vendosur kthimin e saj si rrjedhojë e mosplotësimit të të metave.
5. Po kështu, shtetasit Gj.S., N.P. dhe N.N. i janë drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor
Shkodër me kërkesëpadi për sigurimin e padisë dhe për pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv. Me vendimin nr. 38 (5086), datë 08.12.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka vendosur pushimin e gjykimit, duke vlerësuar se, sipas parashikimeve të nenit 202 të KPC-së, kërkesa për sigurimin e padisë nuk mund të ngrihej në fazën e ekzekutimit të vendimit. Në këto kushte, kërkesëpadia ishte e pabazuar në ligj. Nga ana tjetër, shtetasit M.Th, D.L., Gj.M., S.V., P.P., S.B., R.K., M.P., S.L. dhe P.Rr. kanë paraqitur kërkesëpadi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, duke kërkuar pushimin e ekzekutimit të lajmërimit për ekzekutim vullnetar të titullit ekzekutiv.
Me vendimin nr. 157 (1458), datë 27.03.2023, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka vendosur pushimin e gjykimit, me arsyetimin se neni 617 i KPC-së i njihte vetëm përmbaruesit gjyqësor të drejtën për të kërkuar pushimin e ekzekutimit të titullit ekzekutiv.
6. Në datën 24.10.2024 kërkuesi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) me kërkesë, sipas objektit.
Pretendimet e kërkuesit
7. Kërkuesi, në mënyrë të përmbledhur, ka pretenduar se i është cenuar:
7.1. E drejta për proces të rregullt ligjor, e garantuar nga neni 42 i Kushtetutës, pasi, pavarësisht detyrimit të përcaktuar në nenin 523 të KPC-së për të mbështetur përmbaruesin gjyqësor gjatë procedurës së ekzekutimit, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka refuzuar të mbështesë Zyrën e Përmbarimit Shkodër, me pretendimin se nuk ekziston asnjë urdhër ekzekutiv që përcakton detyrime për personat e tretë posedues të paligjshëm në pronën e tij, në kundërshtim me vendimin e formës së prerë të gjykatës dhe nenin 451/a të KPC-së. Kjo drejtori ka marrë përsipër kryerjen e vlerësimit të veprimeve përmbarimore dhe interpretimin e vendimit të gjykatës, titull ekzekutiv, ndonëse është bërë me dije nga zyra përmbarimore për parashikimet e nenit 603 të KPC-së.
7.2. E drejta e pronës, e garantuar nga neni 41 i Kushtetutës, pasi prej vitesh kërkuesi është në pamundësi të gëzimit dhe posedimit të pronës, si rrjedhojë e posedimit të paligjshëm të saj nga persona të tjerë.
7.3. E drejta për jetë private, pasi, si rrjedhojë e mosmarrjes së masave nga autoritetet shtetërore, atij dhe familjes së tij u janë shkaktuar dëme të mëdha psikologjike. Versus.al
VIDEO/ I rrethuar nga ‘’Shqiponjat’’, momenti kur gjyqtari që u vr* transportohej për në spital
Ky është momenti kur i ndjeri Astrit Kalaja po transportohej me urgjencë për në spital pas të shtënave me armë zjarri kundrejt tij brenda sallës ku mbahej procesi gjyqësor. Kalaja fatkeqësisht nuk u mbijetoi tre plagëve me armë zjarri dhe ndërroi jetë në spital.
Ndërkohë, pala tjetër e procesit, babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj të cilët gjithashtu mbetën të plagosur nga të shtënat me armë, po marrin ende ndihmë mjekësore në spital. Versus.al
“Alarm për sigurinë”, Dhoma e Avokatisë për m*sakrën brenda gjykatës: Goditje e gjithë sistemit
Dhoma e Avokatisë e ka cilësuar “thirrje alarmi” për sigurinë në vend, vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Tiranë. Në reagim thuhet se kjo është goditje për të gjithë sistemin, ndërsa u bëhet thirrje të gjithë avokatëve që të thellojnë punën për të ndërgjegjësuar palët e përfshira në procese penale.
“Te tronditur thellesisht nga ngjarja, lidhur me vrasjen ne ambjentet e gjykates te Gjyqtarit te Gjyjates se Apelit te Juridiksionit te Pergjithshem, kolegut dhe mikut Tone Astrit Kalaja, trupa e avokateve i percjell familjes ngushellimet me te thella . Kjo ngjarrje eshte gjithashtu nje goditje per te gjith sistemin e drejtesise dhe shtetit te se drejtes . Kjo ngjarrje, per kedo eshte nje thirrje alarmi per sigurine, se pari te jetes dhe shendetit te kolegeve, gjyqtarve dhe prokuroreve dhe njekohesisht nje thirrje edhe per avokatet per thellimin e punes per ndergjegjesimin e paleve ne procese penale, civile dhe administrative per c’ka atyre ju takon ligjerisht dhe per pritshmerite ne proceset ku ata perfaqesojne palet”- shkruhet në reagimin e Dhomës së Avokatisë. Versus.al
Vrasja e gjyqtarit, OSBE: Sulm i drejtëpërdrejtë ndaj institucioneve demokratike
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur sot ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë brenda gjykatës në Tiranë. Në reagimin zyrtar thuhet se sulmet ndaj gjyqtarëve janë sulme të drejtëpërdrejta ndaj institucioneve demokratike.
‘’Jemi thellësisht të tronditur dhe të hidhëruar nga të shtënat me armë brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, që i morën jetën gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosën dy persona të tjerë.
I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe kolegëve të gjyqtarit Kalaja dhe u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dënon me forcë këtë akt të dhunshëm. Sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.
Ndërsa rrethanat e plota të sulmit janë ende nën hetim, ne mirëpresim arrestimin e shpejtë të autorit të dyshuar dhe theksojmë rëndësinë e garantimit të vendosjes së drejtësisë përmes një procesi ligjor të plotë e të shpejtë. Prezenca solidarizohet me komunitetin gjyqësor të Shqipërisë dhe mbetet e përkushtuar të mbështesë përpjekjet që forcojnë sigurinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor’’- thuhet në reagimin e OSBE. Versus.al
E kishte kaluar vettigun në 2019-ën, kush është gjyqtari që u vr* sot në sallën e gjyqit
Gjyqtari Astrit Kalaja i cili u qëllua për vdekje ditën e sotme në sallën e gjykatës së Apelit në Tiranë, është një magjistrat me përvojë mbi 3 dekada në sistemin e drejtësisë në vend.
I lindur në qytetin e Shkodrës, ai u diplomua në vitin 1993 në fakultetin e drejtësisë.
Pasi përfundoi studimet me titullin ‘’jurist’’ u emërua si gjyqtar në gjykatën e Shkodrës. Kalaja e kaloi vettingun në vitin 2019, ndërsa KPA-ja e konfirmoi në detyrë në janar të vitit 2022.
Mëherët ai ka mbajtur përkohësisht edhe postin e kryetarit në detyrë të gjykatës së Shkodrës. Që prej diplomimit deri në qershor të vitit 2004, punoi si gjyqtar në Shkodër. Më pas deri në janar të 2023-it, ishte në gjykatën e Apelit në Shkodër dhe prej më shumë se dy vitesh, shërbente ne gjykatën e Apelit në Tiranë. Versus.al
Elvis Shkambi pranon vrasjen e gjyqtarit: E qëllova se po humbisja gjyqin!
Elvis Shkambi, 30 vjeç, i arrestuar si autor i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja këtë pasdite në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ka pranuar krimin e rëndë.
Ai ka deklaruar se ka qëlluar pasi po humbiste një proces gjyqësor për pronë, duke theksuar: “E qëllova sepse po humbisja një gjyq. Isha korrekt me letrat e mia”.
Sipas burimeve, familja e Shkambit ka qenë prej vitesh në një proces për një pronë në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër, ndërsa Elvis ndodhet aktualisht në ambientet e Komisariatit nr.1.
Në vitin 2023, babai i tij deklaronte për mediat se ishte pronar i godinave ku jetojnë 31 familje, ish-shkolla e rezervave në Shkodër, dhe se kishte dokumentacion të rregullt për pronat e tij.
Ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti të gjatë për pronësinë, ku në vitin 2020, banorët e 31 familjeve kishin kundërshtuar zyrën private të përmbarimit, duke pretenduar dokumente të falsifikuara. Që atëherë, çështja ishte zvarritur në institucione.
Gjyqtari Astrit Kalaja, u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës, por për shkak të humbjes së madhe të gjakut, ka ndërruar jetë.
Ngjarja ka tronditur thellë sistemin e drejtësisë dhe opinionin publik në vend./Versus.al
View this post on Instagram
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, policia informacion paraprak: Autori djali i Gjon Shkambit
Policia ka dal në një informacion paraprak në lidhje me ngjarjen e rëndë në Gjykatën e Apelit.
Sipas policisë autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja është 30 vjeçari Elvis Shkambi i biri i Gjon Shkambit për të cilën dhe u aludua më herët në media.
Gjithashtu në njoftimin e uniformave blu thuhet se të plagosur kanë mbetur dhe shtetasit Ervis dhe Rakip Kurtaj të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces).
Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit.
Në vijim do të jepet informacion më i plotë për ngjarjen.Versus.al
EMRI/ Pesë vite më parë denoncoi çështjen e pronës në media, identifikohet autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja
Gjon Shkambi është identifikuar si autori që ekzekutoi me armë zjarri gjyqtarin Astrit Kalaja, brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë.
Sipas të dhënave paraprake, Kalaja po gjykonte një çështje pronësie në të cilën ishte i përfshirë vetë Shkëmbi, dhe dyshohet se pikërisht ky ka qenë motivi që çoi në ngjarjen tragjike.
Pesë vite më parë Gjon Shkambi, nga Shkodra i ishte drejtuar dhe emisionit 'Stop' ku pretendonte se i është uzurpuar prona (ndërtesë dhe truall).
Sipas tij ai ka fituar gjyqin në Shkallën e Parë, por Gjykata e Apelit ia kishte kthyer çështjen për rigjykim për shkak të mungesës së dy procesverbaleve dhe aktit të ekspertimit në dosje.
Në emision punonjëset e gjykatës pranuan se mund të ketë pasur harresa administrative, por jo veprime të qëllimshme.
Shkëmbi ka arritur të hyjë i armatosur brenda sallës së gjyqit, dhe ka hapur zjarr drejt gjyqtarit Astrit Kalaja si dhe dy personave të tjerë, babë e bir, Ervis dhe Rakip Kurtaj të cilët kanë mbetur të plagosur.
Gjyqtari Kalaja nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve me armë zjarri dhe ka ndërruar jetë në spital./Versus.al
Qëllohet me armë zjarri, ndërron jetë gjyqtari Astrit Kalaja! Pamje nga vendngjarja

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Tiranën pak çaste më parë. Në ambientet e Gjykatës së Apelit një person i armatosur ka arritur të hyjë brenda dhe ka hapur zjarr ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja.
Sipas informacioneve paraprake, gjyqtari është qëlluar me armë brenda sallës së gjyqit dhe, pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, ka ndërruar jetë në spital si pasojë e plagëve të marra. Dy persona të tjerë që ndodheshin në sallë kanë mbetur të plagosur.
Ende nuk dihet se si autori arriti të kalojë kontrollet e sigurisë dhe skanerin elektronik, duke hyrë i armatosur në ambientet e gjykatës.
Autori është arrestuar ndërsa forca të shumta policie dhe autoambulanca ndodhen në vendngjarje./Versus.al
View this post on Instagram
Të shtëna me armë në ambjentet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, mbetet i plagosur gjyqtari Astrit Kalaja

Një ngjarje e rëndë është shënuar pak çaste më parë te Gjykata e Apelit në Tiranë, ku ka mbetur i plagosur një gjyqtar.
Burime për media bëjnë me dije se bëhet fjalë për gjyqtarin Astrit Kalaja. Ngjarja është shënuar brenda zyrës së tij.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, ndërsa momentalisht mësohet se ndaj gjyqtarit është qëlluar dy herë me armë zjarri.
Një plumb e ka kapur në këmbë dhe një në pjesën e krahur, afer gjoksit.
Ngjarja ka tronditur gjyqtarët dhe avokatët që prisnin në rradhë listën e gjykimit të proceseve të tyre.
Në rrugë jo zyrtare gjithashtu bëhet e ditur se është arrestuar autori i ngjarjes së rëndë./Versus.al







