Gazetarja Klodiana Lala ka bërë një deklaratë të fortë në emisionin “Opinion” ku është shprehur se përveç dosjes së skandalit të AKSHI-t me grupin kriminal të Ergys Agasit e Mirlinda Karçanajt, ka një fraksion tjetër hetimi që lidhet me emërimet e drejtuesve të policisë.
Sipas Lalës, vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda është financuar nga Ergys Agasi, ndërsa shtoi më tej se 70% e drejtorëve të policisë në qarqe janë emëruar nga biznesmeni i shpallur në kërkim nën dyshimin se ka kryer disa vepra penale.
“Një dosje tjetër që është po fraksion i dosjes së madhe të AKSHI-t lidhet me disa zyrtarë, ose më saktë me kupolën e Policisë së Shtetit që ka patur takim me Ergys Agasin. Ne e dimë shumë mirë dhe nuk duhet të fshihemi pas gishtit. Kush i ka emëruar 70% drejtorët e policisë në qarqe, Ergys Agasi. Unë mbaj përgjegjësi penale për këtë që them, koha do më provojë. Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Prodën e ka financuar Ergys Agasi. Është shumë publike gjëja. Nuk ka rëndësi bota e krimit kështu funksionon pse duhet të ketë titull zyrtar. Financimi nuk është vetëm me para ka dhe forma të tjera”-tha Lala. Versus.al


